Osmani takon Rubion në Uashington, thekson forcimin e aleancës me SHBA-të
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se në 18-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara, është pritur në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Përmes një postimi në facebook, Osmani ka theksuar se gjatë takimit janë diskutuar mundësitë për forcimin e mëtejmë të aleancës ndërmjet dy vendeve, si dhe hapat konkretë që, sipas saj, kanë rëndësi jetike për qytetarët e Kosovës.
Ajo ka falënderuar SHBA-të për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, si dhe për praninë ushtarake amerikane në Kosovë, të cilën e ka cilësuar si kyçe për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Në takim është diskutuar edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe mbrojtjes, në kuadër të partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve.
Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar, krah për krah me Shtetet e Bashkuara, në forcimin e paqes dhe sigurisë, adresimin e sfidave globale dhe avancimin drejt integrimit euroatlantik./IndeksOnline/

