75 Mall Live Search
11:15 / E Premte, 30 Prill 2021 / OSH

Osmani thotë se vetëm duke e njohur sakrificën e të rënëve mund të ndërtohet shteti

Presidentja Vjosa Osmani bashkë me kryetarin e Skenderajt Bekim Jasharin dhe atë të Drenasit Ramiz Lladrovcin kanë bërë homazhe për të rënët në Vërboc.

Osmani, tha se 30 prilli është ndër datat me të dhimbshme për Kosovën ku vranë 300 qytetarë të pafajshëm.

Sipas saj, vetëm duke e njohur sakrificën e të rënëve mund të ndërtohet shteti.

“30 prilli është një ndër datat më të dhimbshme të Kosovës ku rreth 300 qytetarë janë vrarë masovisht. Kjo ditë na rikujton sidomos kur i takojmë familjarët dhe që na tregojnë që gjaku i tyre është derdhur për liri”.

“Vetëm duke njohur sakrificën e të gjithëve ne mund ta ndërtojmë shtetin tonë, qoftë i përjetshëm kujtimi për ta”, tha presidentja Osmani.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se kujtimi për të rënët e kësaj ane do të jetë i përjetshëm.

“Ne sot po bëjmë nderime në kujtim të Komandantit të Brigadës 114 Ilaz Kodra dhe të 40 dëshmorëve dhe 275 martirëve që kanë rënë më 30 prill, kujtimi për ta qoftë i përjetshëm”, tha Lladrovci.

Përderisa kreu i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, tha se nderimi është më e pakta që mund të bëhet për dëshmorët.

“Është më e pakta që mund të bëjmë për këta dëshmorë. Lavdi”, tha Jashari.

Osmani gjatë së premtes ka bërë homazhe edhe në kompleksin memorial në Marinë dhe ka vizituar kullën e Ilaz Kodrës.