Osmani tregon çfarë i tha Presidenti i SHBA-së në Davos
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë detaje rreth pjesëmarrjes së saj në ceremoninë e nënshkrimit të nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes nga Kosova si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, si dhe për takimin e zhvilluar me presidentin amerikan, Donald Trump.
Ajo bëri të ditur se pas nënshkrimit të marrëveshjes sot, sapo të konstituohet Kuvendi i Kosovës, ajo do ta dorëzojë atë për ratifikim.
“Jam besimplotë se të gjitha partitë politike, duke e ditur rëndësinë historike të pjesëmarrjes së Kosovës në këtë organizatë, do ta ratifikojnë me shpejtësi. Në Kosovë do të hyjë në fuqi në ditën e ratifikimit.”
Sa i përket bisedës me presidentin Trump, Osmani tha se kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka përcjellë një mesazh për Kosovën.
“Ishte një bisedë shumë pozitive për Kosovën dhe për qytetarët e saj, ka qenë një bisedë që ka filluar në samitin e OKB në Nju Jork më 28 shtator.”
Duke sqaruar pse ajo përfaqësoi Kosovën dhe jo kryeministri Albin Kurti, Osmani theksoi rolin kushtetues të presidentit në politikën e jashtme, duke shtuar se aderimi i Kosovës në Bordin e Paqes është një fitore për të dy.
“Sepse kështu e parasheh Kushtetuta e Kosovës, sepse tek ne presidentja e udhëheq politikën e jashtme. Edhe kryeministri është këtu në Davos, por ne i kemi detyrat e ndara. Megjithatë, sukseset i kemi të përbashkëta.”
Presidentja u pyet gjithashtu për vendin pranë presidentit Trump dhe zgjedhjen e ngjyrës së kuqe në veshje.
“Ishin rregulla të përcaktuara nga SHBA edhe e uljes dhe e nënshkrimit, çdo rregull protokolli është caktuar nga Shtëpia e Bardhë. Sa i përket ngjyrës së kuqe në veshje, është ngjyra ime e preferuar, një ngjyrë që e dua shumë.”

