Osmani u flet deputetëve për mbrojtjen e aleancave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar sot kuvendit, me fjalimin e saj vjetor.
Osmani nisi fjalimin me nderime për të pranishmit dhe qytetarët, për të cilët thotë se është angazhuar t’i përfaqësojë me dinjitet për këto katër vjet, shkruan IndeksOnline.
“Jemi këtu ku jemi me mision për ta udhëhequr vendin tonë përpara, për ta fuqizuar shtetësinë tonë, për të shtuar aleancat e për të qen vesh e sy dhe mbështetje për secilin qytetar… rruga që gëzojmë sot nuk ka qenë farë e lehtë. Populli jonë ka humbur edhe më të shtrenjtën, përfshirë dhe fëmijët në djep”, tha Osmani.
Ajo përmendi themelin e shtetit, presidentin historik Ibrahim Rugova, si dhe komandantin legjendar, Adem Jasharin, të gjithë ata që dhanë jetën për liri dhe kontribuuan në ndërtimin e shtetit.
Osmani thotë se kushtetuta e shtetit është më demokratikja dhe më e avancuara në Evropë.
“Në këto kohë të trazuara për globin kur fragmentimi dhe përçarja po bëhen gjithnjë e më të dukshme, besnikëria jonë ndaj kushtetues është ajo që qëndron… Sot, siguria është parakusht qenësor për mirëqenie të shtuar, zhvillim ekonomik dhe intelektual”, deklaroi Osmani.
Presidentja u shpreh se ka punuar që emri i Kosovës të lartësohet e dëgjohet edhe aty ku nuk është dëgjuar më parë.
“Veprimet e politikës sonë të jashtme janë shtrirë edhe në kontinente, rajone e shtete të tjera, përtej Evropës e SHBA-së, përfshirë Afrikën, Azinë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine. Kjo shtrirje është më shume se simbolike, sepse përfaqëson aspiratën tonë për bashkëpunim gjithëpërfshirës që kapërcen kufijtë apo distancat gjeografike”, shtoi presidentja.
Ajo tha se luajtja bixhoz me aleanca dhe cenimi i marrëdhënieve me to, e cenon vet Kosovën.
Presidentja vijoi duke përmendur rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe kontributin që po mundohet të japë në këtë drejtim.
“Kam mbështetur vazhdimisht kërkesat që ushtarakëve tanë t’u mbulohen shtesat e rrezikshmërisë, shtesat për punë pas orarit, mëditje për trajnime që zgjasin mbi një muaj dhe programe të tjera mbështetëse që do të siguronin që njerëzit më të mirë e më të kualifikuar të vazhdonin avancimin brenda FSK-së”, shtoi Osmani./IndeksOnline/