Osmani uron 8 Marsin nga AKI-ja, gratë që punojnë në këtë institucion nuk zbulojnë fytyrat

Përgjatë gjithë ditës, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar disa institucione shtetërore për të uruar gratë që punojnë në to, me rastin e 8 Marsit.
Në ditën ndërkombëtare të gruas, s’kishte se si të mungonte vizita e Osmanit edhe në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, shkruan IndeksOnline.
Krahas urimit të veçantë, bie në sy portreti i përbashkët me gratë që punojnë në këtë institucion.
Presidentja ka postuar një fotografi me to, pa ua zbuluar identitetin.
Mbi 50 gra që punojnë në këtë institucion ia kanë kthyer shpinën syrit të kamerës, për të ruajtur identitetin e tyre.
Ky është mesazhi që përçoi presidentja:
Vendimet strategjike të Republikës së Kosovës varen shpesh nga puna e padukshme, por fundamentale e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Për nder të ditës ndërkombëtare të gruas, isha në mesin e heroinave tona të fshehta, grave të fushës së inteligjencës, të cilat në çdo kohë janë aty ku duhet dhe me krenari mbrojnë interesin e Kosovës.
Nga AKI, urime 8 Marsin te gjitha grave të Republikës së Kosovës!