Osmani: Vetëm e kam respektuar Kushtetutën, vonesat nuk i kam shkaktuar unë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur se ishte optimiste që seanca ku do të votohej për mandatarin e dytë për kryeministër do të thirrej më herët se sa të lihet në ditën e fundit të perëndimit të afatit e që është 19 nëntori, pra të mërkurën, raporton Ekonomia Online.
Osmani ka thënës se nuk mund të paragjykojë rezultatin e seancës ku do të hidhet në votim Glauk Konjufca si mandatar i dytë nga Lëvizja Vetëvendosje për ta formuar qeverinë në ardhje.
“Siç e dini, ftesa për seancë mund të bëhet edhe si seancë e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të deputetëve dhe jam e bindur që do të ftohet me kohë, në mënyrë që të respektohen afatet kushtetuese. Nga ana tjetër, unë nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë rezultati i votimit. Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda atij afati. Më pas është në duart e deputetëve dhe të partive politike se çfarë diskutojnë mes vete; këto janë procese në të cilat nuk kam ndërhyrë më herët dhe as tani. Sa i përket ftesës për seancë, ai ka qenë optimizmi im — duket se të tjerët nuk e kanë pasur të njëjtin optimizëm. Unë kam pasur shpresë se do të ftohet më herët, bazuar në bisedat që kemi pasur. Sot është e hënë dhe e mërkura është data e fundit për seancë. Por, siç e thashë, u takon deputetëve të partive politike. Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda afatit kushtetues, dhe përderisa është brenda atij afati, nuk ka asnjë shkelje”, tha Osmani teksa u përgjigj në pyetje e gazetarëve.
Osmani ka ritheksuar atë se nuk kërkohet garanci, por që ka vlerësuar se Konjufca i ka gjasat për të qenë mandatari i dytë.
“Sa i përket nënshkrimeve, kjo nuk ka qenë çështje garancie. Çështja e nënshkrimeve nuk kërkohet as me Kushtetutë, e as me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese. Sikur të ishin dy kandidatë, atëherë do të shihej se cili prej tyre i ka gjasat më të mëdha. Por, megjithatë, kur është vetëm një propozim, shihet nëse ai kandidat i ka gjasat, dhe nga ajo që ka shprehur kandidati për kryeministër, Konjufca, është vlerësuar nga ana ime si presidente se i ka ato gjasa. Nuk është kërkuar asnjëherë garanci”, theksoi presidentja.
Presidentja Osmani nënvizon se ajo vetëm ka respektuar Kushtetutën, ndërsa tha se për çështjen e bllokimit janë të tjerë që e shkaktuan dhe krijuan vonesa që 9 muaj.
“Kushtetuta është e qartë: nëse dështojnë mandatarët e parë, shkohet te i dyti. Unë nuk kam bërë asgjë tjetër përveçse kam respektuar Kushtetutën. Dhe mos të harrojmë që ka pasur një vonesë 9-mujore, të cilën nuk e kam kërkuar, as përkrahur e as shkaktuar unë si Presidente. Për 9 muaj i kemi pritur partitë politike. Kam shpresuar se do të tregonin durim për këto dy javë. Në asnjë moment nuk ka qenë qëllimi im të shkaktoj vonesa; ato janë shkaktuar nga të tjerët. Për 9 muaj i kemi pritur. Tani po i vjen fundi gjithë procesit dhe do të shohim çfarë do të ndodhë”, tha Osmani.

