Osmani kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës: Vuçiqi zgjodhi ta shënon Ditën e Evropës në Moskë

Presidentja Vjosa Osmani, me rastin e Ditës së Evropës, ka thënë se është më rëndësi që të kërkohet heqja e masave të Bashkimi Evropian ndaj Kosovës.
“Në këtë ditë të shënuar, është me rëndësi që, me një zë, të kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si dhe trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë-të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook me rastin e 9 majit, Ditës së Evropës.
Ajo gjithashtu ka thënë se duhet të trajtohen me seriozitet politikat destabilizuese të Serbisë.
“Që ëndrra e evropianëve për një Evropë të tërë, të lirë dhe të bashkuar të realizohet plotësisht, duhet të marrin fund politikat ndëshkuese ndaj popullit më pro-evropian dhe të ndalen politikat akomoduese ndaj Serbisë proputiniste”, ka shkruar tutje Osmani.
Ajo ka thënë se në Ditën e Evropës, reflektojnë mbi vlerat që qëndrojnë në themel të Republikës dhe të Bashkimit Evropian: demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.
“Këto vlera kanë qenë dhe mbeten udhërrëfyes në rrugëtimin tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe në forcimin e përditshëm të shtetit tonë”, ka shkruar Osmani.