OVL e UÇK-së do të protestojë për arrestimet

Ushtruesi i detyrës i organizatës së OVL-UÇK-së Faton Klinaku, në një konferencë për media, lidhur me konfirmimin e aktakuzave të krerëve më të lartë Shtabit të Përgjithshëm, ka thënë se si kryesi kanë vendosur që të mbajnë protestë.
“Si kryesi në një mbledhje të jashtëzakonshme, jo vetëm për rastet e ditës së sotme, por edhe për ditët e kaluara, si organizatë kemi konstatime që i kemi dërguar një kërkesë deputetëve që të dërgojnë në Kushtetuese interpretimet për përfundimin e mandatit të Gjykatës Speciale”, ka thënë Klinaku.
Ai ka thënë se OVL e UÇK-së do të organizojë protestë, për datën dhe kohën do të vendoset nesër në këshillin drejtues të OVL-së, ku do të diskutohet edhe protesta edhe çështje tjera.
Lidhur me deklaratën e presidentit që mos të ketë protesta, Klinaku ka thënë se nëse do të ndodhin protesta nuk do të ketë rrezik, do të jetë protestë paqësore, që është e drejtë kushtetuese.
“Kjo është edhe si kërkesë e veteranëve nga terreni, kurdo që do të mbahen protestat do të jenë paqësore dhe do të respektohen vendimet e institucioneve shëndetësore”, ka thënë Ai.