OVL e UÇK-së e gatshme për verifikimin e listave të veteranëve

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së janë shprehur të gatshme për riverifikimin e listës së veteranëve, derisa kanë thënë se janë në pritje të themelimit të komisionit nga Qeveria e Kosovës.
Xhavit Jashari nga kjo organizatë ka thënë se verifikimin megjithatë, mund ta bëjnë më së miri komandantët e zonave me zinxhirin komandues. RTK-ja ka pyetur qeverinë nëse kanë nisur procedurat për themelimin e komisionit, por që gjatë ditës nuk kanë kthyer përgjigje.
Pak ditë më parë Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim i shpalli fajtorë dhe i ka dënuar me nga një vit burgim dhjetë nga grupi i të akuzuarve në rastin “Veteranët”.
Organizatat e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë në pritje të komisionit që do të themelohet nga Qeveria e Kosovës për verifikimin e veteranëve të luftës.
Nga kjo organizatë janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim me këtë komision të cilin Gjykata Themelore e ka obliguar qeverinë që ta formojë, përmes të cilit do të bëhet riverifikimi i 19 mijë e 500 veteranëve që pretendohen që nuk i kanë plotësuar kriteret.
“Ne do t’i ushtrojmë të gjitha të drejtat tona, ne do ti përgjigjemi çdo herë institucioneve tona, nuk i fiksohemi drejtësisë absolutisht, mirëpo drejtësia duhet me argumentua ku janë bërë shkeljet nga komisioni në nivel qendror. Nuk kemi mundur ne, duke filluar prej Agim Çekut nuk ka mund t’i njohë ushtarët në tërë territorin ku është zhvillu lufta, andaj edhe atëherë, edhe sot edhe sa herë të donë gjykata e prokuroria po edhe institucionet e vendit , i vetmi organ që mund të bëj verifikimin e këtyre kategorive legjitim janë komandantët e zonave me zinxhirin komandues”, thotë Xhavit Jashari, nga OVL e UÇK-së.
Verifikimin e listës e mirëpret Shkumbin Krasniqi, emri i të cilit është në këtë listë.
“Shifrat janë abuzuar politikisht, me idenë se ka pasur konsensus mes partive politike për të zmadhuar numrin, për të pasur ndikim në rezultat të zgjedhjeve. Unë mendoj se përafërsisht më shumë se 25 mijë shkon numri i veteranëve të pavërtetë, sepse veteranë të vërtetë nuk mund të jenë më shumë se 17 mijë’, thotë ai.
Ndërkohë, për dënimin e komandantëve lidhur me listat e veteranëve ka folur Frashër Oseku.
“Përballë këtij vendimi heshtja është bashkëfajësi, drejtësia duhet të jetë si e dimë e barabartë për të gjithë, edhe për ata me grada, thotë Oseku.
RTK ka pyetur Qeverinë nëse kanë nisur procedurat për themelimin e komisionit, por që gjatë ditës nuk kanë kthyer përgjigje.
Ditë më parë Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim i shpalli fajtorë dhe i ka dënuar me nga një vit burgim dhjetë nga grupi i të akuzuarve në rastin “Veteranët”./Indeksonline/