OVL e UÇK-së paralajmëron protestën e radhës për ish-drejtuesit e UÇK-së, në një nga kryeqendrat evropiane

Organizatat e Veteranëve të Luftës do të vazhdojnë me organizimin e protestave në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen tash e pesë vjet në Hagë.
Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla, ka thënë për IndeksOnlinen se nga mesi i muajit nëntor do të organizohet protesta e radhës.
Ai ka thënë se data e saktë ende nuk është vendosur, por ajo që dihet është se protesta do të mbahet në një nga kryeqendrat evropiane.
Syla thotë se protestat nuk do të ndalen deri në shpalljen e aktgjykimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Ai ka falënderuar qytetarët që po i përgjigjen pozitivisht protestave.
Protesta e fundit u mbajt javën e kaluar në Tiranë, paraprakisht protesta janë zhvilluar dy herë në Prishtinë dhe dy herë në Hagë.
Kujtojmë se më 4 nëntor bëhen 5 vjet kur ish-drejtuesit e institucioneve të Kosovës u arrestuan dhe u dërguan në paraburgim në Hagë.
Në pranverën e hershme është paralajmëruar shpallja e aktgjykimit për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin./IndeksOnline/