OVL e UÇK-së reagon ndaj Speciales: Mos hidhni hi syve popullit për respektimin e të drejtave
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë publikuar një njoftim në llogarinë zyrtare në platformën X, ku thuhet se gjyqtarët në Hagë sigurojnë që të drejtat e të akuzuarve respektohen në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Këshilli i Evropës përmes Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Pas këtij njoftimi ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila ka kritikuar deklaratën e gjykatës, duke thënë se realiteti i procesit gjyqësor nuk përputhet me pretendimet për respektim të plotë të të drejtave.
“Mos provoni të hidhni hi syve popullit tonë me deklarata të tilla, kinse gjatë këtij procesi janë respektuar plotësisht të drejtat e të akuzuarve dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Sipas kësaj organizate, qytetarët e Kosovës e kanë parë gjatë viteve të fundit se si janë trajtuar të drejtat e të akuzuarve në këtë proces.
“Populli i Kosovës e ka kuptuar shumë qartë, gjatë gjithë këtyre viteve, se sa herë janë shkelur të drejtat themelore të njeriut dhe sa është respektuar realisht Kushtetuta e vendit tonë”, thuhet më tej.
OVL-UÇK ka ngritur edhe një pyetje lidhur me masën e paraburgimit ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Pikërisht për këtë arsye, sot shtrojmë një pyetje të thjeshtë dhe krejt legjitime: nëse, siç po deklaroni vetë, i gjithë procesi gjyqësor është drejt përfundimit, atëherë pse bashkëluftëtarët tanë nuk lejohen ta presin verdiktin përfundimtar në shtëpitë e tyre, pranë familjeve dhe popullit të tyre?”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, mbajtja e të akuzuarve në paraburgim për një kohë kaq të gjatë është e vështirë të arsyetohet nëse procesi gjyqësor është në fazën përmbyllëse.
“Si mund të arsyetohet mbajtja e tyre në paraburgim të pafund, kur vetë gjykata po thotë se gjykimi është në fazën përmbyllëse? Kjo është një pyetje që kërkon përgjigje të qartë, jo deklarata formale për respektim të të drejtave”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK thekson se kërkon vetëm drejtësi të barabartë dhe standarde të njëjta me ato që zbatohen në sistemet demokratike.
“Nuk duam asgjë më shumë se drejtësi të vërtetë dhe standarde të barabarta, ashtu siç aplikohen në çdo sistem tjetër gjyqësor demokratik”, thuhet tutje në reagim.

