OVL e UÇK-së shpreh shqetësimin ndaj përmbajtjes dhe gjuhës së përdorur në fjalët përmbyllëse të ZPS-së
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) i kanë shprehur shqetësimin në lidhje me përmbajtjen e gjuhës së përdorën në fjalën përmbyllëse të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe pretendimet përfshirë etiketimin e udhëheqjes së UÇK-së si pjesë e një “Ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
“OVL e UÇK-së shpreh shqetësim të thellë dhe kundërshtim të fuqishëm ndaj përmbajtjes dhe gjuhës së përdorur në fjalët përmbyllëse të prokurorisë në Dhomat e Specializuara në Hagë. Pretendimet e paraqitura, përfshirë etiketimin e udhëheqjes së UÇK-së si pjesë e një “Ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, përbëjnë një tentativë të papranueshme për kriminalizimin e luftës sonë çlirimtare dhe për rishkrimin e historisë së rezistencës së drejtë të popullit të Kosovës”, thuhet në reagim.
OVL e UÇK-së ka theksuar se UÇK-ja mbetet ushtri çlirimtare.
“UÇK-ja ishte dhe mbetet ushtri çlirimtare, e lindur nga nevoja për mbijetesë dhe liri, e mbështetur nga populli dhe e njohur nga bashkësia ndërkombëtare si palë legjitime në luftën kundër regjimit gjenocidal serb. OVL e UÇK-së riafirmon bindjen se kjo gjykatë po zhvillon një proces selektiv dhe të njëanshëm, duke injoruar krimet shtetërore të Serbisë dhe duke u fokusuar padrejtësisht mbi drejtuesit e luftës çlirimtare. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të vërtetën historike, dinjitetin e luftës sonë dhe figurën e bashkëluftëtarëve tanë. Drejtësia e vërtetë nuk ndërtohet mbi shtrembërim faktesh, por mbi të vërtetën e plotë”, përfundon reagimi.

