11:32 / E Premte, 05 Qershor 2020 / indeksADMonline

OVL e UÇK-së deklarohet për heqjen e flamurit nga Qeveria, kërkojnë unitet politik

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së është deklaruar për herë të parë për heqjen e flamurit të UÇK-së nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Në reagim OVL e UÇK-së kërkon të ketë unitet politik në vend.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka përcjell zhvillimet politike në Kosovë dhe ka kërkuar nga partitë që për hirë të çështjes së përgjithshme të kenë unitet politik, sepse kjo po shkakton edhe përçarjen në popull e që për ne është e papranueshme.

Kohët e fundit, jemi duke parë vendosjen dhe heqjen e flamurit të UÇK-së në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, prandaj e ndjejmë si obligim që për këtë çështje ta japim qëndrimin tonë:

Flamuri i luftës së UÇK-së vendin e ka në Organizatën e Veteranëve dhe Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, në memoriale, komplekse, lapidare të dëshmorëve, akademi dhe muze lufte, por edhe mund të përdoret nga qytetarët në shenjë respekti për luftën.

Institucionet e shtetit të Kosovës kanë për obligim ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të luftës dhe kjo bëhet me anë të miratimit dhe zbatimit të ligjeve, dhe u bëjmë thirrje institucioneve dhe qytetarëve që flamurin e UÇK-së të mos e përdorin për interesa politike”, thuhet në reagim./Indeksonline/