OVL-UÇK-ja do të shpalosë detajet e protestës së nesërme

Organizata e Veteranëve të Luftës do të mbajë sot konferencë për shtyp.
Konferenca që fillon në ora 11:00 do të mbahet për të prezantuar detajet dhe informacionet për protestën e nesërme, shkruan IndeksOnline.
Nesër në ora 17:00, OVL-UÇK-ja dhe organizatat e tjera të dalura nga lufta do të protestojnë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të kundërshtuar vijueshmërinë e procedit gjyqësor në Hagë, ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Gjatë protestës do të kërkohet reagim institucional lidhur me këtë proces.
“Duke pasur parasysh mosreflektimin e partive politike për konstituimin e institucioneve, dhe mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në takim u vendos që të mbahet protestë gjithëpopullore, me kërkesat e mëposhtme:
Kundërshtimi i padrejtësive ndaj ish-bashkëluftëtarëve në Gjykatën Speciale.
Formimi urgjent i institucioneve legjitime dhe respektimi i rendit kushtetues.
Ndërprerja e përbuzjes ndaj kategorive të luftës, përfshirë mosmbështetjen financiare, përjashtimin e veteranëve nga paga minimale dhe mungesën e ligjit për vlerat e UÇK-së” thuhet në një prej njoftimeve të organizatës.