75 Mall Live Search
09:49 / E Martë, 28 Tetor 2025 / SH

OVL e UÇK-së reagon ndaj deklaratës së Ardian Shalës, sqaron çështjen për tre tenderët për lapidarë

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Dega në Suharekë ka reaguar lidhur me çështjen e tendereve për rregullimin e lapidarëve në tre fshatra.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Dega në Suharekë, reagon ashpër ndaj deklaratave të kandidatit për kryetar të Komunës së Suharekës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Ardian Shala, lidhur me akuzat e tij ndaj kryetarit aktual dhe kandidatit për kryetar, z. Bali Muharremaj, në çështjen e tenderit për rregullimin e lapidarit në fshatin Studenqan, në emisionin “Debat Pernime” në Kallxo.com te Jeta Xharra.
Për hir të së vërtetës dhe transparencës ndaj opinionit publik, sqarojmë sa vijon:
Tenderi i përmendur ka qenë i hapur për tre lapidarë – në fshatrat Dubravë, Vraniq dhe Studenqan.
Në rastin e lapidarit të Studenqanit, Komuna e Suharekës nuk ka shpenzuar asnjë cent nga buxheti komunal, pasi organizatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nëndega në Studenqan kanë siguruar donatorë privatë për realizimin e punimeve.
Si rrjedhojë, mjetet e tenderit janë përdorur vetëm për rregullimin e lapidarëve në Dubravë dhe Vraniq.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Dega në Suharekë, pas hulumtimeve të veta, posedon materialin zyrtar të tenderit, që e dëshmon qartë këtë fakt.
Prandaj, kërkojmë nga të dy kandidatët për kryetar të Komunës së Suharekës që të mos i përfshijnë lapidarët e dëshmorëve dhe martirëve në betejat e tyre politike.
Këto simbole të shenjta përfaqësojnë sakrificën më të lartë të popullit tonë për liri dhe pavarësi.
Çdo përpjekje për përdorim politik apo manipulim me emrin e dëshmorëve është e papranueshme, fyese dhe cenon ndjenjat e familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës.
Ftojmë të dy kandidatët që të garojnë me programe, ide dhe vizione konkrete për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës së Suharekës, duke dëshmuar njëkohësisht kujdes, përgjegjësi dhe respekt të denjë për kategoritë e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në reagim.