OVL UÇK: Specialja po i refuzon vizitat në Hagë, akt i ulët dhe i turpshëm

Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së e ka quajtur akt të ulët dhe të turpshëm refuzimin e vizitave në Hagë.
Në një reagim të lëshuar, OVL UÇK bën të ditur se me zemërim të thellë njoftojnë se Dhomat e Specializuara në Hagë, përmes vendimeve të pashembullta dhe të njëanshme, kanë refuzuar dy kërkesa zyrtare për vizita të përfaqësuesve të OVL UÇK-së te bashkëluftëtarët tanë të burgosur.
“Vizita e kërkuar më 21 prill 2025 nga z. Fehmi Gucati, z. Hysni Gucati dhe z. Bedri Ahmeti te z. Shala, z. Krasniqi dhe z. Mustafa u refuzua pa asnjë arsyetim të arsyeshëm. Po ashtu, më 14 maj 2025, u refuzua vizita te z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli, për të cilët kërkuam të qëndrojmë pranë në mënyrë njerëzore dhe morale”, thuhet në regim.
“Gjithashtu, jemi të informuar se edhe z. Rexhep Selimi ka bërë kërkesë për të lejuar këtë vizitë. Kjo kërkesë është ende në procedurë, por ne e dimë mirë çfarë përgjigjeje do të vijë,një tjetër JO, e padrejtë dhe e padenjë”, thuhet në njoftimin e OVL UÇK-së.
Kjo oganizatë thekson se kjo është një qasje përjashtuese, përçmuese dhe selektive, sipas OVL UÇK-së, kjo është dëshmi e qartë se Dhomat e Specializuara nuk kanë për qëllim drejtësinë, por poshtërimin e përfaqësuesve të luftës çlirimtare të Kosovës. /Indeksonline/