Lind zona Ozil, “The Sun” zbulon statistikën e veçantë
Mund ta quani zona Ozil. Ose më mirë, “Ozone”.
Kjo statistikë është zbuluar nga “The Sun”, që ka mbledhur të dhënat në lidhje me paraqitjet e fundit të Mesut Ozil, ylli gjerman i Arsenal-it, duke zbuluar se fantazisti nuk luan kurrë shumë larg shtëpisë. Më saktësisht, kurrë më shumë se 160 kilometra larg “Emirates Stadium”, impianti i “Topçinjve”.
Siç ka bërë të ditur e përditshmja britanike, nga 6 nëntori i 2017-ës, Ozil ka luajtur vetëm 36 nga 58 takimet e ekipit të tij në Premier League dhe ka marrë pjesë në vetëm tre sfida të kampionatit jashtë zonës së 160 kilometrave.
Ka luajtur jashtë rrezes së tij kundër Manchester City në 5 nëntorin e 2017-ës dhe, kohët e fundit, kundër Swansea, Cardiff dhe Newcastle. Lojtari nuk luan një ndeshje jashtë “Ozone” prej më shumë se gjashtë muajsh, nga shtatori i 2018-ës.
Në këtë sezon të Premier League, nga njëzet skuadrat me të cilat duhet të përballet, dhjetë prej tyre e kanë stadiumin jashtë rrezes së 160 kilometrave. Një nga këto është pikërisht Everton, kundërshtari i ardhshëm i Ozil.
Në fakt, “Goodison Park” është 341 kilometra larg, shumë jashtë zonës Ozil. Të shohim se çfarë do të ndodhë dhe nëse kjo statistikë do të respektohet.