“Pa Gjakovë nuk ka Kosovë”, porosia e 17-shit të AAK-së
Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Flamur Fetahaj, ka vazhduar aktivitetet e tij elektorale në Gjakovë, duke theksuar mbështetjen e madhe që, sipas tij, po merr Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në këtë komunë.
Përmes një postimi, Fetahaj ka bërë të ditur se nga Blloku i Ri i Gjakovës, pranë shkollës që mban emrin e akademikut Fehmi Agani, e deri në Lipovec të Hasit, qytetarët po shprehin përkrahje të fuqishme për koalicionin Aleanca 128.
“Nga shkolla që mban emrin e dijetarit të madh Fehmi Agani në Bllokun e Ri të Gjakovës, e deri në Lipovecin e Hasit legjendar, kudo po marrim mbështetje të jashtëzakonshme për Aleancën 128. Kjo mbështetje është dëshmi e punëve të mira që janë bërë dhe e besimit për ato që do të bëhen në të ardhmen. Është mbështetje për vizionin, për ekipin dhe për lidershipin që ka dëshmuar rezultate. Shpesh kemi dëgjuar thënien: “Pa Gjakovë nuk ka Kosovë.” Sot, më shumë se kurrë, është momenti që Gjakova ta japë fuqishëm mesazhin e saj për njeriun e duhur, për ekipin e duhur dhe për një Kosovë më të mirë”, ka shkruar Fetahaj./IndeksOnline/



