Pa kryetarin e nënkryetarin, deputetët e VV-së thërrasin mbledhje të “kundërligjshme” të Komisionit hetimor

Pa kryetarin Shemsedin Dreshaj e nënkryetarin Ardian Kastrati, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë thirrur mbledhjen e Komisionit hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024.
I kontaktuar përmes telefonit, kryetari Shemsedin Dreshaj ka thënë se kjo mbledhje është e kundërligjshme dhe se anëtarët i ka njoftuar përmes e-mailit. Të njëjtin e-mail e ka siguruar edhe Ekonomia Online.
“Për shkak se kuvendi është në pushime, asnjë komision parlamentar nuk ka mbledhje të caktuar për javën e ardhshme dhe për shkak të mungesës së kuoruimit për javën e ardhshme, sipas njoftimeve të anëtarëve bazuar në ligj dhe në kompetencat e mia si kryetar, ju njoftoj se Komisioni hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore do të vazhdojë punën nga data 09.09.2024”, thuhet në e-mailin e Dreshajt dërguar administratës.

Për këtë mbledhje është paraparë të intervistohen disa ish-ministra të Arsimit dhe Financave.
