Pa Kurtin, Konjufcën e Haxhiun, Vetëvendosje pritet të dobësohet fuqishëm në Kuvend si opozitë

Dita e sotme pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e koalicionit aktual qeverisës, LDK e Vetëvendosje.
Isa Mustafa i ka vënë tri kushte kryeministrit Kurti për të vazhduar qeverisjen. Por, këto kushte janë vështirë të pranueshme duke e patur parasysh se serioziteti i njeriut më të votuar, Albin Kurtit do të lëkundej në rast të “prapakthimit e pendimit”.
Në rast se LDK do të dilte nga Qeveria me Vetëvendosjen dhe do të arrinte marrëveshje koalicioni me partitë opozitare, partia e Albin Kurtit do të “thyhej” në kuvend si opozitë.
Kjo pasi që parlament tek Vetëvendosje nuk mund të jenë tre të fuqishmet e partitë, kryetari Kurti, Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu. Kurti njihet si shpirti i Vetëvendosjes, Konjufca si njeriu që gjithmonë ishte në ballë të përplasjes me partitë opozitare dhe Haxhiu që njihet si femra më e votuar, por edhe më e fuqishme në Vetëvendosje.
Por, në kë do të shpresonte Albin Kurti në rast se Vetëvendosje do të mbetej parti opozitare? Pa dyshim që Rexhep Selimi do të mbetej atuja më e fuqishme nga Vetëvendosje në Kuvend. Bashkë me Selimin, Kurti do të kishte edhe një përfaqësues të afërt politik dhe të zotin për përballjet anti-opozitare, Liburn Aliun. Aliu njihet si një deputet me përvojë dhe i kalitur me situata të ndryshme politike.
Mefail Bajqinovci do të ishte poashtu një shpresë e Vetëvendosjes. I ri në parti dhe për herë të parë në Kuvend, Bajqinovci ka dëshmuar se është një nga deputetët më aktiv jo vetëm në Vetëvendosje, por edhe në Kuvend. Ish-gazetari i njohur nuk është ndalur asnjëherë me takime duke qenë gjithmonë aktiv duke e arsyetuar votën e popullit.
Arbër Rexha poashtu shquhet për punën aktive në Kuvend duke qenë një alternativë e mirë për opozitarizëm. I ri në Kuvend, por mjaft aktiv në muajt e parë si deputet ka qenë edhe Hekuran Murati i cili njihet edhe si një ekonomist i shquar.
Nga gjinia femërore, mungesa e Albulena Haxhiu do të ishte e madhe për partinë e Albin Kurtit. Ministrja aktuale e Drejtësisë ka qenë gjithmonë zëri më i fuqishëm i Vetëvendosjes. Mimoza Kusari dhe Fitore Pacolli do të duhej të ishin dy femrat më të zëshme me Vetëvendosjen në opozitë.
Të dy deputetet janë në parlament që disa mandate dhe kanë qenë gjithmonë aktive në përballjet kundër qeverive të kaluara. /Indeksonline/