“Pa panik, flini dathë”, Konjufca jep siguri për partneritetin e Kosovës me SHBA-në

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka ripërsëritur se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar lidhur me raportet Kosovë-SHBA.
“Unë mendoj që nuk janë raporte për t’u shqetësuar, për të bërë panik. Unë mendoj që raportet janë përtej këtyre ndryshimit në perceptim që e kemi se si të veprohet në pjesën e veriut të Kosovës. E mirëkuptojmë plotësisht atë vërejtje edhe kritikat qe na japin SHBA-ja, këto janë gjithmonë kritika me vend sepse në SHBA e shohin Kosovën nivel shumë më të lartë se sa që e shohim ne, e shohin në rajon, e shohin edhe në Evropë e shohin edhe në kontekstin e përgjithshëm global.
Qysh e shohim ne, është e drejtë e shtetit të Kosovës të shtrijë sundimin e ligjit dhe sovranitetit në vend. Kjo është perspektivë më e ultë, më e ngushtë por është perspektivë e së drejtës së Kosovës”, deklaroi sot përpara mediave Konjufca.
Një gjë të tillë e kishte theksuar edhe kryeministri Albin Kurti, disa ditë më parë.
“Si kryeministër i Republikës së Kosovës kam folur që raportet tona, bashkëpunimi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shumë i mirë, tash ne jemi partner, aleatë edhe miq, kjo nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdoherë në çdo vend për gjithçka, mirëpo në këtë aspekt kemi një rregullore të re të Bankës Qendrore të Kosovës të cilën qeveria e Kosovës sipas Kushtetutës dhe ligjit ka për detyrë ta mbështesë, andaj edhe unë them që raportet tona janë shumë të mira dhe i qëndroj kësaj fjale. Pra nuk ka shpërputhje mes motit sot dhe raporteve me SHBA-të”, kishte deklaruar Kurti.
Por, dyshimet për një gjë të tillë i ngriti ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, javën e kaluar në një konferencë të thirrur për media.
“Kemi ndjekur intervistën e tij (Kurtit), kur thotë se partneriteti Kosovë-SHBA nuk është lëkundur dhe nuk do të lëkundet nga kjo situatë. Duhet të jem i qartë se kjo nuk është e vërtetë! Kjo nuk është çështja. Siç e ka theksuar zëvendëssekretari O’Brien, kjo gjë veçse e ka ndikuar partneritetin tonë” pati thënë Hovenier përpara mediave.
Ndiqni më poshtë materialin e plotë: