75 Mall Live Search
22:19 / E Martë, 10 Janar 2023 / shkelqim osmanaj

Pacientët me virozë mbushin QMF-të

Në javën e fundit, numri më i lartë i të infektuarve me COVID-19, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në një ditë ishte 18.

Në IKSHPK thanë më 10 janar se nga fillimi i sezonit më 3 tetor 2022 deri më 1 janar 2023, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, janë raportuar afro 24 mijë raste të sëmundjes të ngjashme me grip. Nga ky numër, 3.406 raste ishin të infeksioneve respiratore akute dhe 67 raste me infeksion të rëndë respirator akut.

Sipas Institutit, gjatë kohës 26 dhjetor deri më 1 janar, janë raportuar 1.871 raste të sëmundjes së ngjashme me gripin.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, thonë se pragu epidemik për të shpallur një epidemi është rreth 5 mijë raste të raportuara në javë.

Epidemiologia Pranvera Kaçaniku – Gunga, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, shpjegoi për Radion Evropa e Lirë, se intensiteti i influencës sezonale, sipas numrit të rasteve të paraqitura është në “aktivitetin e mesëm të qarkullimit”.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht në Kosovë nuk ka ndonjë influencë.

“Në bazë të kontakteve të përditshme me QKMF-të e të gjitha komunave dhe IKSHPK-në, numri i vizitave në kujdesin Parësor Shëndetësor flet për viroza të stinës”, tha Berisha.

IKSHPK-ja dhe mjekët rekomandojnë mbajtjen e maskave, distancën fizike dhe higjienën e duarve.

Po ashtu, rekomandohet të shmangen sa është e mundur kontaktet e afërta me individë të sëmurë, të reduktohet numri i vizitave të familjarëve te personat e hospitalizuar (SHSKUK, spitalet rajonale), si dhe të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz./REL