75 Mall Live Search
20:00 / E Hënë, 19 Dhjetor 2022 / S Z

Pacientët nuk u besojnë spitaleve publike, shkojnë privat ose jashtë vendit

Numri i shtretërve në Spitale Publike, është shumë më i vogël se sa mesatarja e vendeve tjera. Shumë nga kapacitetet ekzistuese spitalore, qoftë teknike apo njerëzore, kanë mbetur të pashfrytëzuara për shkak të humbjes së besimit të pacientëve, në sektorin publik.

Spitalet e Kosovës kanë 2.2 shtretër për 1 mijë banorë, e që është një shifër shumë e ulët krahasuar me vende tjera.  Megjithatë vetëm 50 për qind e kapaciteteve në spitalet publike shfrytëzohet. E arsye për këtë mbetet humbja e besimit të pacientëve në institucionet publike shëndetësore.

Të gjitha këto thuhen në Raportin e Balkans Policy Research Group – BPRG, sipas të cilit pacientët kanë humbur besimin në sektorin publik dhe se kërkojnë shërbime jashtë vendit ose në spitalet private brenda vendit.

”  Spitalet e Kosovës kanë 2.2 shtretër për 1 mijë banorë. Shifër shumë më e ulët se sa mesatarja e vendeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) prej 5.3 shtretërve për 1,000 banorë. Vetëm 50 për qind e shtretërve në spitale shfrytëzohen, shifër shumë më e ulët se standardi optimal prej 85 për qind të shfrytëzimit që duhet të synohet. Janë së paku 24 reparte në spitalet regjionale dhe shërbimin terciar që trajtojnë më pak se 1 mijë pacientë, numri minimal për trajtim dhe menaxhim efiçient. Shumë nga kapacitetet ekzistuese spitalore, qoftë teknike apo njerëzore, kanë mbetur të pashfrytëzuara, për shkak të humbjes së besimit të pacientëve në sektorin publik “, thuhet në raport.

Në raport po ashtu thuhet se sektori publik shëndetësor në Kosovë,  ka probleme dhe me menaxhim sa i përket ofrimit të shërbimeve si dhe mungesë të pajisjeve.

“Pacientët nuk i besojnë sektorit publik, mungojnë pajisjet, ka probleme në menaxhim dhe të gjitha qendrat rajonale, ofrojnë të njëjtat shërbime, në vend se të specializohen në disa shërbime. Kjo bën që kapacitet ekzistuese të mjekëve dhe infermierëve të mos shfrytëzohen në kapacitet të plotë”, thuhet në raport.

E  pacientët thonë se zgjedhin spitalet private, sepse një gjë e tillë po u imponohet. Vera Berisha thotë se sa herë i ishte drejtuar QKUK-së,  ka qenë e pamundur të trajtohen aty dhe se janë detyruar që analiza, biopsi e të gjitha gjërat t’i kryejnë privat dhe më në fund janë detyruar të shkojnë dhe në Shkup, për të gjetur një trajtim të duhur.

“Për shumë analiza e fotografime dhe CT na kanë udhëzuar që t’i kryejmë privat, sepse na është thënë se nuk kryhen ato në QKUK. Ne e kemi pasur rastin në familje, ku njeriu i cili ka vuajtur nga një sëmundje e rëndë, nuk është diagnostikuar me kohë në institucionet publike të shëndetësisë,  derisa është bërë vonë dhe sëmundja ka avancuar shumë. Pastaj ne jemi detyruar të kërkojmë trajtim në Shkup, pasi që QKUK-ja përveç që nuk ka kryer analiza as CT, as nuk janë marrë sa duhet me pacientin, duke e neglizhuar rastin e po ashtu dhe trajtimin”, tha ajo.

Ndryshe, në krahasim me vendet e rajonit dhe me mesataren e BE-së, Kosova shpenzon më së paku për shëndetësi si përqindje të Bruto Produktit Vendor (BPV), me përjashtim Shqipërinë e cila shpenzon më pak. Përderisa Kosova shpenzon 4.4 përqind në shërbimet shëndetësore, mesatarja në vendet e BE-së është 9.9 përqind. /IndeksOnline/