75 Mall Live Search
18:07 / E Mërkurë, 14 Tetor 2020 / indeksADMonline

Pacolli deklarohet për mundësinë që AKR t’i bashkohet koalicionit qeverisës

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka deklaruar se me askënd nuk është diskutuar mundësia e përfshirjes së këtij subjekti politik në Qeverinë aktuale të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Ai ka theksuar se e kanë votuar Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike-ndonëse subjekt opozitarë, pasi që kanë konsideruar se ajo ishte gjëja e duhur që duhej të bënte.

“Kemi bërë mirë që e kemi votuar ligjin. Për gjëra konstruktive mund të llogaritet në votën time. Aty ku meriton qeveria të përkrahet do ta bëjë. Nuk mund të sakrifikojë diçka për Kosovën për interesa e mia personale ose partiake”, ka deklaruar Pacolli, transmeton Indeksonline.

Pacolli është shprehur optimist se procesi i dialogut me Serbinë do të përmbyllet brenda disa muajve.

Ai pas takimit me emisarin special të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, tha se asociacioni i komunave serbe nuk duhet të ketë fuqi ekzekutive.

“Unë jam ithtar i madh i dialogut, i paqes dhe kuptova se është bërë një punë e madhe dhe ashtu siç tha edhe zotëri Borrell, brenda disa muajve mund të pritet edhe marrëveshja finale”, tha ai.

Ndërkohë që Serbia insiston që asociacioni të jetë temë diskutimesh në tavolinën e Brukselit, i pari i AKR-së përjashton mundësinë që asociacioni i komunave me shumicë serbe të ketë kompetenca ekzekutive.

“Një marrëveshje sa i përket asociacionit është nënshkruar. Unë e kam shumë vështirë të them që mos të respektohet diçka që është nënshkruar…Nuk besoj që dikush do të rihapë këtë temë…Asociacioni nuk do të ketë fuqi ekzekutive”, tha Pacolli./Indeksonline/