19:35 / E Mërkurë, 01 Gusht 2018 / indeksADMonline

Pacolli e quan sukses ndryshimin e formatit të raportimit për Kosovën në OKB

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministër i vendit, Behgjet Pacolli, ka mirëpritur dhe përshëndetur marrjen e Kryesimit të Presidencës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nga Mbretëria e Bashkuar dhe miratimin e agjendës së re të kryesimit britanik, e cila nuk parasheh raportimin e rregullt tre-mujor të UNMIK-ut, bën të ditur MPJ.

“Mirëpres dhe përshëndes marrjen e kryesimit të Këshillit të Sigurimit nga ana e Mbretërisë së Bashkuar. Mospërfshirja e raportimit mbi Kosovën në agjendën për Muajin Gusht është një sukses për Kosovën dhe shtetet aleate dhe partnere të saj”, ka thënë Pacolli.

“Ne, për shumë kohë kemi kërkuar, që të ndryshohet formati tre-mujor i raportimit. Ky është edhe një mesazh i qartë për njohjen e arritjeve dhe zhvillimeve të gjithmbarëshme pozitive në Kosovë”, ka shtuar ai.

“Këshilli i Sigurimit gradualisht po e njeh realitetin e ri të krijuar në Kosovë dhe është koha, që Kosova të bëhet anëtare e plotë dhe e barabartë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka thënë kryediplomati kosovar.