14:48 / E Diele, 13 Maj 2018 / indeksADMonline

Pacolli mbështet idenë e krijimit të zonës ekonomike amerikane

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka mbështetur iniciativën për krijimin e një zone ekonomike amerikane, për tërheqjen e investimeve të huaja.

“Për një kohë të gjatë kam promovuar idenë e zonave ekonomike në Kosovë që do të tërheqin më shumë investime të huaja, do të sjellin kapital të huaj dhe ekspertizë në Kosovë dhe do të krijojnë vende të reja pune për rininë tonë, duke u dhënë atyre një të ardhme më të ndritur. Ne mandatin qeverisës 2011/2014 arritem të bëjmë pregaditjēn ligjore por më vonë nuk u bë asgjë.

Mbështes fuqishëm idenë e lansuar për krijimin e zonave ekonomike e në këtë rast, më theks tē veqantë një zonë për investitorët amerikanë në Kosovë, e cila do të ishte shtyllë e shtuar e marrëdhënieve strategjike midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe do të tërheqë kompanitë amerikane për të ardhur në Kosovë.

Ka shumë kompani amerikane në Kosovë dhe shumë më tepër mund të vijnë nëse krijojmë kushte që do ta bënin Kosovën më tërheqëse në rajon dhe në Evropën Lindore.

Unë do të shtyj në qeveri këtë ide që së shpejti të marrim vendimin për të krijuar një zonë ekonomike për investitorët amerikanë dhe për të organizuar një Forum Ekonomik-Investimesh midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara që do të bashkonte komunitetin e biznesit të dy vendeve tona.

Besoj se do të kemi rezultate konkrete duke sjellë më shumë investime, duke krijuar më shumë vende pune dhe duke pasur një të ardhme më të mirë për vendin tonë”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës Arian Zeka, tha se krijimi i zonës ekonomike amerikane do të jetë përgjigje e shumë kërkesave të investitorëve amerikanë, në rast se ata vendosin të vijnë të investojnë në Kosovë a ka ndonjë hapësirë të gatshme që ata mund të vendosen dhe të kenë kushtet minimale.

“Ne kemi marrë informatën për themelimin e kësaj zone nga burimet tona brenda qeverisë, por jo në mënyrë zyrtare. Po flasim 19 vite pas çlirimit të vendit ku dikush do të priste që do të ketë komunikim më të madh në nivel zyrtar ndërmjet sektorit publik dhe atij privat”, tha Zeka.

Zona ekonomike amerikane, sipas tyre, do të krijonte lehtësira për investitorët amerikanë në vend.