Pacolli: Mospranimi i Masakrës së Reçakut, politikë e rrezikshme e Beogradit
Mospranimin e Masakrës së Reçakut nga ana e Serbisë, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli e ka quajtur politikë të rrezikshme te Beogradit.
Ai tutje është shprehur se do të kujtohen përherë krimet e Serbisë në Kosovë.
“Mospranimi i Masakrës së Reçakut dhe të Gjenocidit të Srebrenicës nuk janë raste të izoluara, por paraqesin një politikë të rrezikshme të Beogradit dhe të kukullave të tyre në rajon që duhet të dënohen fuqishëm nga kombi. Ne do t’i kujtojmë gjithmonë Serbisë për krimet që ka kryer në #Kosovë”, ka shkruar Pacolli në Twitter.
Masakra e Reçakut ka qenë temë e diskutimit kohëve të fundit për shkak se politikanët serb, po vazhdojnë ta mohojnë atë.
Ish-ministri i Administratës së Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq e ka quajtur masakrën e Reçakut “një trillim”.
Për shkak të kësaj deklarate ai është shkarkuar nga Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur këtë ngjarje “shpikje e William Walker”. /Indeksonline/