Pacolli nervozohet në studion e RTK-së, përplaset me gazetaren se e pyeti për dajën e vëllain

Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, është paraqitur në televizionin publik pas akuzave dhe reagimeve qytetare ndaj saj për “vjedhjen” e mijëra eurove nga buxheti i shtetit.
Pacolli sot në Info Plus të RTK-së u ftua për të folur rreth kësaj çështjeje, si dhe për përfoljet e subvencioneve të dhëna nga Ministria e Bujqësisë për dajën dhe vëllain e saj.
Ajo u kap keq me gazetarën e RTK-së, duke e pyetur se pse nuk e ka ftuar më herët në emision.
“Ju si gazetare kur unë jom sulmu kaq shumë për këto dy tema ish dashtë me m’thirrë atëherë me diskutu. Jo, jo, jo, jo, jo, jo. Intervistën e vetme e kam dhanë te emisioni te Fidani. Nëse të intereson me i ditë detajet mundesh me shku me këqyr aty”, tha deputetja.
Gazetarja e RTK-së këmbënguli që Pacolli të tregojë nëse vëllai dhe daja kanë marrë subvencione.
“Sikur t’kish interesu ty kjo çështje… ke prit 1 vit me m’sulmu kaq shumë”, iu kap gazetares deputetja e VV-së. “Pse s’ma ke dhanë hapësirën atëherë”, vazhdoi ajo.
Së fundmi, bashkëshorti i Fitore Pacollit u raportua se ka përfituar 52 mijë euro nga Ministria e Kulturës. Siç ka shkruar gazetari Lirim Mehmetaj, paratë i ishin ndarë atij përmes një organizate joqeveritare.
Më herët, ishte konfirmuar edhe nga ministri në detyrë, Faton Peci se Ministria e Bujqësisë kishte ndarë nga 100 mijë euro në formën e subvencioneve edhe për vëllain dhe dajën e deputetes.