19:23 / E Martë, 25 Qershor 2019 / indeksADMonline

Pacolli: Nuk ka ‘krizë humanitare’ në veri, playbacku i Millosheviqit është i njohur për Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka deklaruar se Qeveria e Serbisë, mediat e kontrolluara në Serbi dhe politikanët kukulla të Beogradit në veri kanë filluar një fushatë të rreme për të krijuar histeri kinse ekziston një krizë humanitare në veri.

Pacolli tha se playback-u i Millosheviqit tani i dirigjuar, është i njohur për Kosovën.

“Ne do të kundërshtojmë këtë propagandë që ka për qëllim krijimin e tensioneve dhe incidenteve në Kosovën veriore. Nuk ka krizë humanitare që nga viti 1999 kur forcat serbe u larguan nga Kosova dhe nuk do të ketë kurrë një krizë të tillë. Kosova do të kujdeset për të gjithë qytetarët e saj”, ka shkruar ai, transmeton Indeksonline.

Tutje Pacolli ka deklaruar se në Kosovën veriore ka mjaft produkte dhe medikamente.

“Unë i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të monitorojnë këtë përpjekje nga Serbia për të destabilizuar Kosovën dhe ta dënojnë atë”,shkroi Pacolli./Indeksonline/