14:25 / E Premte, 27 Korrik 2018 / indeksADMonline

Pacolli pas takimit me sekretarin amerikan: Kosova me fat që në rrugëtimin e saj s’është vetëm

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pacolli që ka arritur dje në SHBA ka zhvilluar një takim me sekretarin e shtetit amerikan Mike Pompeo, transmeton Indeksonline.

Këtë e ka bërë të ditur vet Pacolli në një postim në profilin e tij në Facebook, duke i bashkangjitur një fotografi nga takimi.

“Gjatë qëndrimit në Washington, kënaqësi ta takoj Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo. Kosova është me fat që në rrugëtimin e saj nuk është vetëm”, ka shkruar Pacolli.

Mësohet se temë e diskutimit në takim ka qenë edhe dialogu Kosovë-Serbi, si dhe u ritheksua përsëri se nuk do të ketë ndarje të Kosovës.

Se në takim u bisedua për marrëdhënie Kosovë-Serbi e konfirmoi edhe shefi i Kabinetit të ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj.

Ai në një prononcim për Indeksonline ka theksuar se lajmet për ndarje të Kosovës janë të krijuara vetëm në Beograd.

“Nuk ka absolutisht asgjë të vërtetë në teoritë për ndarjen e Kosovës, janë vetëm lajme të krijuara në Beograd. Ndarja e Kosovës nxit destabilizimin e Ballkanit dhe për këtë janë të vetëdijshëm edhe në Uashington. Sekretari Pompeo është ftuar që të vizitojë Kosovën në nëntor të këtij viti”, ka thënë Zyberaj. /Indeksonline/