Pacolli, për intervistimin e Bedri Elezit: Deklaratat e papërgjegjshme mund të krijojnë panik, huti dhe dezinformim në publik

Behgjet Pacolli ka reaguar pasi Prokuroria Speciale ftoi për intervistim ekspertin e sigurisë, Bedri Elezin.
Pacolli ka thënë se është e rëndësishme të ftohen për intervistim individë kur deklaratat e tyre publike bazohen në hamendje dhe s’kanë prova konkrete.
“Deklaratat e papërgjegjshme, sidomos në mediat publike, mund të krijojnë panik, huti dhe dezinformim në publik. Duke kërkuar llogaridhënie, autoritetet ndihmojnë në ruajtjen e integritetit dhe besueshmërisë së informacioneve të shpërndara. Kjo praktikë ndihmon gjithashtu në parandalimin e shpërndarjes së informacioneve të rreme dhe nxit përgjegjësinë në të folurën publike” tha Pacolli, duke komentuar situatën e krijuar nga Elezi.
Ky i fundit, një ditë më parë publikoi disa deklarata, ku mes të tjerash aludoi se presidentja Vjosa Osmani dyshohet të ketë negociuar lejimin e largimit të anëtarëve të BIA-s në rastin e Banjskës.
Pas deklaratave të tij, ashpër reagoi këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.
“Presidentja Osmani nuk ka negociuar për lirim të agjentëve të BIA-s, ndaj kjo është gënjeshtër e pastër e individit Bedri Elezi, për ç’gjë Presidentja menjëherë do të përgatisë padi. Ky deklarim i pavërtetë dhe skandaloz, përbën shpifje të rëndë. Deklarime të tilla, cenojnë jo vetëm kredibilitetin e shtetit, por edhe sigurinë kombëtare” deklaroi Kupina.
Elezi u intervistua sot nga organet e drejtësisë, lidhur me pretendimet që i bëri.
Me autorizim të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policia e Kosovës, Njësia për Krime të Rënda më ka kontaktuar dhe kemi zhvillu një intervistë në cilësinë e personit dëshmitar me pretendimet të cilat janë publikuar në Faccebook nga ana ime të cilat i kemi sqaruar. Po ashtu duhet të theksoj se institucioni i zbatimit të ligjit në këtë rast Polcia e Kosovës dhe Prokuroria kanë shprehur interesimin dhe kanë ofruar mbështetjen e tyre tek rreziku që mund të jetë për mua dhe familjen time