11:38 / E Premte, 17 Maj 2019 / indeksADMonline

Pacolli sipas modelit amerikan emëroj ndërtesën e MPJ-së “Ukshin Hoti”

Nga dita e enjte, 16 maj 2019, ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme do të mbaj emrin e Ukshin Hotit.

Këtë emrim e ka bërë ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Duke u bazuar në praktikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shumë shteteve të tjera me demokraci të zhvilluar ministri Pacolli ka ardhur deri tek ky vendim.

Shembulli më i mirë është emërimi i rezidencës presidenciale amerikane si “Shtëpia e Bardhë”.

“White House” përkthyer në gjuhën shqipe “Shtëpia e Bardhë” është vendbanimi zyrtar dhe vendi i punës i Presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Praktika tjetër në SHBA është ndjekur me ndërtesën e selisë së Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara.

Kjo ndërtesë ka marr emrin e “Harry S Truman”.

Ndërtesa është emëruar pas Presidentit të 33-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Harry S Truman, i cili ishte me ndikim në avancimin e Departamentit të Shtetit.

Pra ndërtesa ka marr emrin e një Presidenti i cili kishte dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për shtetin e tij.

Departamenti i Drejtësisë Amerikane po ashtu mbanë emrin e Robert F. Kennedy.

Ndërtesa është në pronësi të Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme.

Në vitin 2001, ndërtesa kryesore e Departamentit të Drejtësisë ishte riemërua në në emër të Robert F. Kennedy i cili ishte Prokurori i Përgjithshëm (1961-1964).

Presidenti Xhorxh W. Bush i ishte drejtuar Administratorit të Shërbimeve të Përgjithshme që ta emëronin ndërtesën e Departamentit të Drejtësisë me emrin e Robert F. Kennedy.

Po ashtu Departamenti Amerikan i Ndërtimit të Administratës Bujqësore, e njohur gjithashtu si ndërtesa “Jamie L. Whitten”, strehon zyrat administrative të Departamentit Amerikan të Bujqësisë në Uashington.

Andaj duke u bazuar në këto praktika ministri Pacolli ka thënë se këtë vendim e ka marr në ditën kur kujtojmë Ukshin Hotin, i cili ishte i burgosur politik nga regjimi i Beogradit dhe tash e 20 vite mungon dhe fati i tij nuk dihet ende. 

“Kujtojm se ai ishte një luftëtar i lirisë sonë, intelektual, diplomat dhe burrështetas modern.  Hoti ishte gjithashtu Sekretar Krahinor i Kosovës për Marrëdhëniet me Jashtë (ministër i jashtëm) dhe ne sot kujtojmë kontributin e tij ndaj kombit dhe në diplomaci, dhe për ketë unë kam vendosur të emërtoj ndërtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme në emër të tij”, ka shtuar ministri Pacolli.

Në të njëjtën kohë Ministria do të ndaj çdo vit çmimin Ukshin Hoti për Diplomaci.

“Ne do të luftojmë për përgjigje se çka ka ndodhur me Ukshin Hotin. Serbia nuk mund t’i ikë drejtësisë”, ka potencuar Pacolli.