18:25 / E Mërkurë, 05 Tetor 2022 / LB

Padi për Muratin/ Shala tregon se si PDK do ta kundërshtoj vendimin për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit

Qeveria e Kosovës vazhdon të këmbëngulë në mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit grevist për muajin shtator.

Arsyetimi i deritashëm qoftë i ministrit të Financave dhe zyrtarëve tjerë qeveritarë është se kush punon paguhet.

Në anën tjetër, janë së paku gjashtë deputet të partisë në pushtet që kanë kërkuar ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.

Por, çka thonë në partinë më të madhe opozitare në vend përkitazi me këtë çështje.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka thënë për Indeksonline se ky veprim i qeverisë ndaj mësuesve dhe gjithë arsimit shqip është i pamatur dhe skandaloz, që prek direkt cilësinë e arsimit, por edhe gjendjen sociale dhe ekonomike të çdo familje që ka punonjës të arsimit apo fëmijët në shkollë.

“Ky veprim i qeverisë nuk mund të kuptohet ndryshe, por vetëm orvatje për të krijuar rrethana të paqena dhe të panevojshme krize me akter të caktuar. Në këtë relacion jemi jashtëzakonisht të shqetësuar, sepse veprimi do të jetë me pasoja direkte në cilësinë e arsimit. Tashmë kemi humbur më shumë se një muaj dhe goditja e radhës pas fillimit të mësimit është kjo që qeveria me paramendim po krijon dhe po orvatet të pengoj procesin e mbarëvajtjes së mësimit”, ka thënë ndër të tjera ai.

I pyetur se cilat veprime do t’i ndërmarr PDK për të kundërshtuar këtë vendim të Qeverisë, Shala ka thënë se ky subjekt po e përcjell nga afër situatën dhe se të gjithë hapat juridik do t’i shterojnë që të padisin ministrin dhe të realizojnë atë, që sipas tij, është e ligjshme në raport me kërkesat e arsimit shqip./Indeksonline/