75 Mall Live Search
14:05 / E Hënë, 18 Gusht 2025 / SH

Padia e MKRS-së për kompleksin “Saraji i vjetër”, ngrihet aktakuzë ndaj dy zyrtarëve

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër Pranverim Berishës dhe E.TH., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”nga neni 414 par. 1 lidhur me par. 3 nënpar. 3.2 lidhur me nenin 31, sipas Kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore prej datës 05.01.2024 deri më 04.04.2024 në Prizren, i pandehuri i parë P.B., në cilësinë e personit zyrtar – drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Prizrenit, ndërsa e pandehura e dytë E.TH., në cilësinë e bashkëpunëtores profesionale në DUPH të Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre dhe nuk i përmbushin detyrat me qëllim të shkaktimit të dëmit Ministrisë së Kulturës (MKRS), duke mundësuar përfitim të dobisë pasurore për investitorin A.XH., në atë mënyrë që i pandehuri P.B., në cilësinë e drejtorit të DUPH-së edhe pse ka pas njohuri se kompleksi “Saraji i vjetër” në Prizren është në kuadër të mbrojtjes së përhershme të monumenteve kulturore, nuk e parandalon rrënimin e tij, ndërsa e pandehura E.Th., më datë 05.01.2024 pas kërkesës së investitorit A.Xh., fillimisht lëshon kushtet ndërtimore, dhe vazhdon më datë 15.01.2024 ku e lëshon vendimin për rrënimin e objekteve ekzistuese, dhe më datë 04.04.2024 lëshon lejen e ndërtimit investitorit A.Xh., për të ndërtuar kompleks banesor në objektin e trashëgimisë kulturore “Saraji i vjetër” në Prizren, krejt kjo në kundërshtim me Ligjin për ndërtim dhe Ligjin për trashëgiminë kulturore dhe listën e aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, ashtu që me dashje tejkalojnë dhe nuk i përmbushin detyrat e tyre të cila janë të përcaktuara me ligj në drejtimin të moslejimit të rrënimit të objektit “Saraji i vjetër” dhe ndërtimit mbi gërmadhat e saj të kompleksit banesor, me ç’rast shkaktohet një dëm i pariparueshëm i trashëgimisë kulturore në shumë rreth 15.961.832.70 € (pesëmbëdhjetë milionë, e nëntëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e tetëqind e tridhjetë e dy euro, e shtatë dhjetë cent).

Me këto veprime, të pandehurit e lartëcekur në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.