75 Mall Live Search
18:33 / E Martë, 10 Mars 2026 / B XH

Paga mesatare në Shqipëri arrin në 87 mijë lekë, rritet numri i punonjësve që paguhen mbi 120 mijë lekë në muaj

Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në 87 mijë lekë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, kjo përfaqëson një rritje prej 4.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025, paga mesatare u rrit me 4.4%.

Rritja e pagave në fund të vitit lidhet edhe me shpërblimet dhe pagesat shtesë që zakonisht jepen në këtë periudhë.

Sektorët me pagat më të larta mbeten aktivitetet financiare dhe të sigurimit, ku paga mesatare arrin në rreth 173 mijë lekë në muaj. Pas tyre renditet sektori i informacionit dhe komunikacionit, me një pagë mesatare prej rreth 131 mijë lekësh. Ky sektor shënoi edhe rritjen më të madhe vjetore të pagave, me 7.9%.

Nga ana tjetër, rritja më e ulët e pagave u regjistrua në sektorin e arteve, argëtimit dhe shërbimeve të tjera, me vetëm 2.2%.

Sa i përket profesioneve, pagat më të larta janë për menaxherët, ligjvënësit dhe drejtorët ekzekutivë, me një mesatare prej 135 mijë lekësh në muaj. Ndërkohë, specialistët me arsim të lartë paguhen mesatarisht 115 mijë lekë.

Rritjen më të madhe vjetore të pagave e shënuan Forcat e Armatosura, me 10.6%, të ndjekura nga nëpunësit, me 6.2%, transmeton RTSH.

Të dhënat tregojnë gjithashtu një zhvendosje të punësimit drejt pagave më të larta. Pjesa e të punësuarve që marrin mbi 120 mijë lekë në muaj u rrit nga 14.1% në 16.2% brenda një viti, ndërsa u ul përqindja e atyre që paguhen deri në nivelin e pagës minimale.