13:07 / E Hënë, 27 Dhjetor 2021 / MSH

Paga shtesë për fundvit/ Sindikata e policisë në pritje të përgjigjes nga Qeveria

Sindikata e Policisë së Kosovës ende nuk ka pranuar përgjigje rreth kërkesës që punonjësit e Policisë të shpërblehen në fundvit nga qeveria me një shumë ekuivalente të një page mujore.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Republikës së Kosovës, Imer Zeqiri në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se zyrtarisht nuk kanë pranuar ende përgjigje përkitazi me kërkesën e tyre.

“Ne po presim edhe sot pasi që është festë dhe do të shohim të martën se çfarë përgjigje do të marrim”, ka thënë Zeqiri duke shtuar se kërkesa është bërë për të gjithë punonjësit e policisë.

Në letrën e Sindikatës dërguar ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ndër të tjera thuhet se kërkesa po parashtrohet duke pas parasysh përkushtimin e Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2021, në angazhimet e tyre në punët e përditshme si dhe në angazhimet shtesë të planeve të ndryshme operative, si COVID 19 dhe operacioneve tjera, ku janë duke e dëshmuar punën e tyre profesionale dhe përkushtimin pavarësisht sfidave me të cilat përballen duke rrezikuar edhe jetën e tyre.

Këtë kërkesë e arsyetojnë punonjësit e Policisë së Kosovës, pasi që janë bartësit kryesor për sigurinë e Republikës së Kosovës dhe në veçanti janë të kyçur direkt në Ligjin për parandalimin e pandemisë COVD 19 e që për vitin 2021 nuk kanë marr asnjë shtesë edhe pse me Ligj ka qenë e paraparë.

Pjesëtarët e policisë mbesin më shpresë se do t’a realizohet kërkesa e sindikatës./IndeksOnline/