Pagat dhe energjia ndikuan në rritjen solide të kostos së ndërtimit

Pagat dhe energjia janë dy nga faktorët që shkaktuan rritjen solide të kostos së ndërtimit në Kosovë në tre mujorin e fundit të vitit 2023, krahasuar me tre mujorin e tretë po të njëjtit vit.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), publikoi Indeksin e Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e katërt 2023, ku në mënyrë të detajuar shihet se cilët faktor ndikuan në koston e ndërtimit.
Sipas raportit, indeksi i tërësishëm i Kostos të Ndërtimit në Kosovë pati rritje për 0,7% në tremujorin e katërt 2023, krahasuar me tremujorin e tretë 2023.
“Rritje kishte te pagat (5,1%), energjia (5,1%), kostot e tjera (0,9%, makineritë (0,2%) dhe transporti pa ndryshim (0,0%). Rënie kishte tek materialet (-0,1%)”, thuhet në raportin e ASK-së.
Ndërkaq, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak (TM4 2022), Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rënie për -0,3%.
“Rënie më të madhe kishte transporti (-8,1%), materialet (-1,4%), ndërsa, rritje pati te pagat (7,4%), kostot e tjera (2,8%), energjia (1,2%) dhe makineritë (0,3%)”, përfundon raporti.