Pajisjet me tekste shkollore, Hoxha fton prokurorinë ta hetojë këtë proces

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për procesin e “dështuar” të furnizimit me tekste shkollore, meqë ka nxënës që ende nuk i kanë ato, raporton Ekonomia Online.
Hoxha ka thënë se qe dy vjet, Qeveria e Kosovës ka shumëfishuar fitimet e shtëpive botuese dhe libraritë, sepse sipas saj, blerja në procedurë ligjore nga MASHT-i do të ishin shumë më lirë. Ajo ka kërkuar hetim për këtë çështje.
“Sot kur po flasim një pjesë e madhe e nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e nëntë nuk i ka tekstet shkollore në banka dhe në shtëpitë e tyre. Hiç më pak se 20 milionë euro është kostoja e planifikuar, nga rreth 5 milionë sa ka qenë oferta zyrtare fillimisht nga shtëpitë botuese”, ka thënë Hoxha.
“Po e nis këtë fjalim meqë jemi në fillim shtatori, është interesant që të ritheksojmë se në këto katër vite të VV-së, viti i ri shkollor nuk ka nisur me normalitet. Sot një pjesë e madhe e nxënësve nga klasa e parë deri në të 9-të nuk i kanë tekste shkollore. Sot qytetarë kjo mënyre e pa bazë dhe e pa ligjshme ka shumëfishuar fitimet e shtëpive botuese dhe librarive, këto libra do të bliheshin shumë më lirë nga Ministria sepse tani ju shiten më shtrenjte prindërve… Kjo duhet të hetohet nga Prokuroria e Shtetit për një vendimmarrje të tillë”, u shpreh ajo.