23:01 / E Shtunë, 03 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Pajtoi gjaqet mes shqiptarëve, në 23 vjetorin e vdekjes Anton Çetta harrohet

Humanisti i njohur shqiptar, Anton Çetta mbahet mend për kontributin e tij të madh që dha në pajtimin e gjaqeve mes shqiptarëve në vitet e 90-ta.

Madje, thuhet se Çetta ka arritur të tuboj mbi gjysmë milioni njerëz në një tubim në atë kohë në Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit.

Mirëpo, kontributi i tij për pajtim të gjaqeve ndër shqiptarë, shpejt u harrua.

Ndonëse, sot janë bërë 23 vjet nga vdekja e tij, për atdhetarin e shquar asnjë nga politikanët nuk morën mundin të shkruajnë as edhe një fjali të vetme, që ta përkujtonin jetën dhe veprën e tij për shqiptarët.

Ani pse, për të Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës muaj më parë ka nënshkruar kontratë për ndërtimin e shtatores së Çettës.

Ky projekt do të kushtojë 70 mijë euro, ku lartësia e shtatores është e përcaktuar të jetë 3 metra dhe do të jetë me material të bronzit.

Ndryshe, udhëheqësit e Institutit Albanologjik të Kosovës nuk kanë pranuar vendosjen e figurës së tij brenda oborrit të këtij instituti duke u arsyetuar se do duhej të vendosej në ndonjë shesh  të madh të qytetit.

Këshilli Organizativ, ka dy vjet që merret me kërkesën për hapësirën, ku do të zinte vend figura e Çettës e derdhur në bronz./Indeksonline/