22:33 / E Shtunë, 23 Mars 2019

Pak biznese në pronësi të grave në Kosovë!

Nga viti 2006 deri në vitin 2017 janë regjistruar gjithsej 100,635 biznese në Kosovë. Prej tyre 16, 818 kanë mbyllur aktivitetin e tyre ose shprehur në përqindje 16,71%.

Mirëpo, vetëm një numër i vogël i tyre janë në pronësi të femrave. Sipas statistikave që ka Ministria e Tregtisë nga Agjencioni për Regjistrimin e Biznesit janë vetëm 13 mijë e 91 biznese në pronësi të grave.

Në këto statistika për Indeksonline shihet që është një numër i vogël i bizneseve që udhëhiqen nga gratë.

Numri i bizneseve në pronësi të grave ndër vite ka ndryshuar. Në vitin 2012 ky numër ka qenë 882, ndërsa ka ardhur duke u rritur ku në vitin 2018 janë regjistruar 2, 353 biznese me pronare femrat.

Por, në krahasim me numrin total të bizneseve, ky numër po vlerësohet të jetë i vogël.

Në bazë të raporteve të OJQ-ëve të ndryshme, thuhet se gratë kanë shënuar përparim të dukshëm në ekonomi, individualisht, mirëpo, kolektivisht ndikimi i tyre mbetet mesatar.

Ekonomisti, Lulzim Beqiri thotë se Kosova ende është larg standardeve evropiane sa i përket biznesve që regjistrohen në pronësi të grave e që janë pak.

Sipas tij,  në këtë çështje ka ndikuar edhe mentaliteti si popull.

“Trendi i regjistrimit të bizneseve nga ana e kosovarëve ka vazhduar duke u rritur dukshim, mirëpo ndonëse ka rritje të bizneseve në pronësi të gjinisë femërore ende mbetet larg parametrave të standardeve evropiane, siç dihet në Republikën e Kosovës ka shumë pak biznese të regjistruara me pronarë të gjinisë femërore, janë shumë arsye sipas mendimit tim, fillimisht mos mbështetja e organeve kompetente ka bërë që të ketë hezitime të jenë evidente, me ardhjen e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, gjërat kanë filluar të përmirësohen dukshëm, ndihma ndërkombëtare ka dhënë rezultate evidente edhe në vendet rurale, prandaj inkurajojë organizatat vendore e ndërkombëtare që të mbështesin grat për të filluar punën e tyre, pastaj si pengesë mendoj se është edhe mentaliteti i yni si popull, mirëpo prapë se prapë kemi rritje të bizneseve”, ka thënë Beqiri.

Edhe sipas disa rezultateve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia më e theksuar është tek femrat.

Sipas një ankete të publikuar disa ditë me parë në ASK, papunësia te femrat është me 38.0% krahasuar me meshkujt, 29,2%./Indeksonline/