Pak ditë pasi u shndërrua në muze, shkatërrohet treni ‘Bllaca 99’
Më 10 prill të këtij viti, në fshatin Bllacë të Hanit të Elezit u shënua 20-vjetori i gjenocidit serb dhe spastrimit etnik “Bllaca 99”.
Po këtë ditë, është vendosur edhe gurthemeli i Muzeut të Gjenocidit Serb, në të cilin po qëndron edhe treni i cili kishte bartur mbi 400 mijë shqiptarë.
Mirëpo, nuk ka kaluar shumë kohë dhe ky tren që u shndërrua në muze, u shkatërrua nga persona të papërgjegjshëm.
Lexues të portalit Indeksonline kanë dërguar pamje të trenit nga brenda, i cili duket në gjendje të tmerrshme.
Dritaret janë thyer me gurë, karriget janë demoluar etj, derisa nuk dihet se kush e ka bërë një gjë të tillë. /Indeksonline/









