Pak para mesnate, kryediplomatja Gërvalla del me një përmbledhje të vizitës së Cameron në Kosovë

Ministria e Punëve të jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, pak para mesnatës ka dhënë detaje rreth takimit më ministrin e punëve të jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron.
Ajo bëri të ditur se në takim është rikonfirmuar edhe njëherë qëndrimi dhe mbështetja e palëkundur e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës.
Postimi i plotë:
Vizita e parë e Ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron në Kosovë, e cila është njëkohësisht vizita e tij e parë zyrtare në këtë fillim viti, solli në Kosovë sinjal e qartë të mbështetjes së jashtëzakonshme të Britanisë së Madhe në rrugën tonë të fuqizimit të shtetit, në shtrirjen e sovranitetit, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, fuqizimin e ushtrisë sonë dhe forcimin e përpjekjeve për sjelljen e njohjeve të reja.
Si gjatë darkës së mbrëmshme të punës me Kryeministrin Albin Kurti dhe takimit të sotëm me Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, ashtu edhe gjatë takimit dypalësh që patëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u rikonfirmua qëndrimi dhe mbështetja e palëkundur e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës dhe proceseve nëpër të cilat po kalon vendi ynë.
Si ish-Kryeministër për gjashtë vite i Mbretërisë së Bashkuar dhe tani si udhëheqës i diplomacisë së njërit prej shteteve më të fuqishme në botë, vizita e Lordit David Cameron në këtë kohë në Kosovë është e një rëndësie historike për shtetin tonë.
Viti 2024 është viti i 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, viti gjatë të cilit me vëmendje të veçantë e kujtojmë mbështetjen dhe angazhimin e jashtëzakonshëm të miqve, partnerëve dhe aleatëve tanë për ndaljen e gjenocidit serb në Kosovë dhe çlirimin e vendit tonë.
Për këtë Kosova dhe qytetarët e saj do të jenë përherë mirënjohës./Indeksonline/