16:39 / E Hënë, 26 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Pak qytetarë në veri paguajnë rrymën, kërkohet që t’u falet borxhi

Që nga viti 1999, në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit ekzistojnë probleme në furnizim me energji elektrike si dhe nuk funksionon pagesa për shpenzimin e saj, ku vetëm 10 përqind e qytetarëve paguajnë rrymën në atë pjesë të Kosovës, teksa 60.6 përqind e tyre nuk paguajnë fare.

Këto të dhëna u bënë të ditura sot me rastin e të publikimit të analizës së Marrëveshjes për Energji  dhe  Telekomunikime “Terr dhe heshtje pas marrëveshjes së Brukselit”, ku u tha se as shpërndarësit e autorizuar nuk kanë mekanizma për të arkëtuar mjetet për shërbimet e dhëna, ndërsa qytetarët kushtëzojnë pagesën e energjisë elektrike.

Njëra nga autoret e kësaj analize Snezhana Gjapiq, tha se përveç kësaj, ekziston edhe problemi i transparencës në dialogun në Bruksel, pasi që sipas saj, Prishtina dhe Beogradi, kanë interpretime të ndryshme lidhur me rrjedhën e negociatave.

Ndërkaq, pavarësisht se ka filluar të diskutohet prej vitit 2013, sipas saj, çështja e energjetikës ende nuk i ka tejkaluar problemet, të cilat lidhen kryesisht me sistemin e vjetërsuar të distribuimit të rrymës.

“Sipas hulumtimit që organizata jonë ka bërë në vitin 2016, del se gjysma e qytetarëve nuk i paguajnë rregullisht faturat për rrymën e shpenzuar dhe se gati gjysma e tyre kanë borxhe të cilat i tejkalojnë 3 vjet. Të dhënat tregojnë se vetëm 10 përqind e qytetarëve rregullisht paguajnë shpenzimet për rrymë. Ajo çfarë qytetarët shohin si problematikë për furnizim të rrymës është sistemi i vjetërsuar i distribuimit të rrymës, ndriçimi i dobët publik, infrastruktura shumë e dobët në viset rurale si dhe ndaljet e rrymës”, tha ajo.

Gjapiq tha se nga ana e qytetarëve është rekomanduar që pagesa e rrymës të fillohet nga zero, pra që të fshihen borxhet e të së kaluarës, në mënyrë që ata të fillojnë të kryejnë obligimet e tyre.

Ndërsa autorja Sanja Sovrliq, bëri të ditur se në kuadër të këtij hulumtimi nuk kanë arritur të gjejnë se kush i mbulon shpenzimet e rrymës për qytetarët në veri të Kosovës, teksa arsyetoi  borxhet e tyre duke thënë se marrin fatura paushalle.

“Në mesin e serbëve dhe shqiptarëve ka njerëz që nuk paguajnë faturat e tyre. Kur flasim për veriun e Kosovës disi mund t’i kuptojmë qytetarët sepse ata marrin fatura paushalle. Sepse nëse një amvisëri kishte marrë faturë rreth 15 mijë euro, që është e pamundur… Të gjithë janë të vetëdijshëm që të fillojnë me pagesë të energjisë, por me disa kushte. Pra këto thjesht janë arsyet. Ajo që kemi bërë në këtë anketë, është se ata që thonë se kanë borxh, sqarojnë se thjesht nuk paguajnë”, tha ajo.

Sipas saj, në mes dy palëve në Bruksel, diskutohet për territore derisa palët negociuese i harrojnë njerëzit, e për këtë sugjeroi që qytetarët të informohen drejt me vendimet që merren atje.

Tutje, Sovrlliq u ndal tek telekomunikacioni, ku theksoi se telefonia paguhej edhe më herët, për dallim nga energjetika. Rezultati më i rëndësishëm i zbatimit të Marrëveshjes së telekomunikacionit, sipas saj, është krijimi i “MTS SH.P.K”,e cila është përgjegjëse për telekomunikacionin në zonat serbe të Kosovës.

“Ka barriera reale për qasje në dokumente. Kemi numër të madh të qytetarëve të cilët nuk mund të marrin dokumentet e Kosovës. Rekomandimi ynë kryesor është që të bëhet në kontinuitet, një cilësi dhe harmonizim i çmimit sidomos kur flitet për Serbinë, që të mos ketë ngritje të konsiderueshme të çmimeve të komunikimeve me kompani të cilat ofrojnë shërbime në Serbi. Duhet të bëhet një fushatë informative sepse brenda natës bëhet zbatimi i këtyre marrëveshjeve dhe madje as vet të punësuarit nuk janë të njoftuara me këtë”, u shpreh ajo.

Në fund, ajo tha se një çështje tjetër në të cilën duhet punuar është çështja e pronës, e cila po shkakton problem në zbatimin e marrëveshjeve.