Pakënaqësi të mëdha te gjyqtarët e futbollit, lindin dyshime për delegime në bazë të interesave

Kohëve të fundit kanë lindur pakënaqësi të mëdha në mesin e gjyqtarëve të futbollit në Kosovë.
Në fakt, shumë klube kishin ngritur kërkesa që shumë prej gjyqtarëve të njohur të mos i referonin ndeshjet e tyre.
Kësaj kërkese ka filluar t’i përgjigjet në praktikë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Burime të Indeksonline, bëjnë të ditur që Ademi po ndikon direkt në delegimin e gjyqtarëve, ndonëse kjo nuk është fare kompetencë e tij.
Është për tu habitur, tretmani që i është bërë sivjet gjyqtarit më të mirë që ka pasur Kosova ndonjëherë, Genc Nuzës si dhe shumë gjyqtarëve tjerë.
Kjo ka ngritur dyshime se delegimet po bëhen në bazë të interesave të ngushta, familjare, shoqërore etj.
Në fundjavë, Nuza është caktuar në ndeshjen e Ligës së Parë, Istogu – Malisheva.
Viteve të kaluar, shumica e klubeve elitare bënin kërkesë që gjyqtari 31 vjeçarë t’iu referonte, madje në ndeshjen vendimtare për titull para dy vitesh, Feronikeli – Prishtina, disa minuta para fillimit ishin pajtuar që Nuza të ndante drejtësinë.
Prishtinasi është gjyqtari i parë në histori të Kosovës që ka marrë stemën e FIFA-së poashtu është zgjedhur 6 herë gjyqtari më i mirë në vendin tonë.

Burime të Indeksonline, bëjnë të ditur që me këto reforma, kryetari Ademi po tenton që të mbajë klubet e kënaqura deri në zgjedhjet e ardhshme.
Ndryshe, sivjet në Superligë kanë debutuar 4 gjyqtarë të rinjë, Valbon Hoxha, Mentor Ajeti, Vigan Ibërdemaj dhe Lirim Jashari.
Të gjithë këta kanë lidhje familjare me persona që kanë mbajtur poste në FFK.
/Indeksonline/