75 Mall Live Search
18:16 / E Shtunë, 25 Tetor 2025 / BA

Pakistani kërcënon me “luftë të hapur” Afganistanin, nëse dështojnë bisedimet në Stamboll

Me “luftë të hapur” kërcënoi sot ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, në rast se dështojnë bisedimet me Afganistanin që po zhvillohen në Stamboll.
Kjo deklaratë, vjen vetëm disa ditë pasi të dyja palët kishin rënë dakord për një armëpushim pas përleshjeve të përgjakshme në kufi. Megjithatë, ai sqaroi se beson që Afganistani dëshiron paqe.

Bisedimet në Stamboll, të cilat nisën sot dhe pritet të vazhdojnë edhe nesër, janë përpjekja më e fundit mes Pakistanit dhe Afganistanit për të shmangur rikthimin e dhunës, pas përplasjeve më të rënda kufitare që prej marrjes së Kabulit nga talebanët në vitin 2021.

Qëllimi i takimit është krijimi i një mekanizmi për zbatimin afatgjatë të armëpushimit, të cilit iu vu në jetë në Doha.

Khawaja Muhammad Asif deklaroi se nuk janë regjistruar incidente gjatë katër deri në pesë ditëve që nga nënshkrimi i armëpushimit, dhe se të dyja palët po e respektojnë marrëveshjen.

“Nëse nuk arrihet një marrëveshje, ne kemi opsionin e luftës së hapur me ta,” tha ai në një deklaratë televizive nga Pakistani. “Por unë pashë se ata duan paqe.”

Përleshjet shpërthyen në fillim të këtij muaji, kur Islamabadi kërkoi nga talebanët të godasin grupet islamiste që, sipas tij, sulmojnë Pakistanin nga strehimet e tyre në territorin afgan.
Pakistani u përgjigj me sulme ajrore përtej kufirit, ndërsa të dyja palët shkëmbyen zjarr të rëndë, duke lënë dhjetëra të vrarë dhe duke shkaktuar mbylljen e disa pikave kryesore kufitare, të cilat mbeten të mbyllura edhe tani.

Islamabadi akuzon Kabulin se strehon luftëtarë që synojnë forcat pakistaneze, ndërsa talebanët e mohojnë këtë, duke thënë se operacionet ushtarake të Pakistanit shkelin sovranitetin e Afganistanit. /balkanweb