Pakistani thotë se Irani ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në raundin e dytë të bisedimeve për paqe
Irani ende nuk e ka konfirmuar nëse do të marrë pjesë në bisedimet e paqes në Pakistan këtë javë, tha Ministri pakistanez i Informacionit Attaullah Tarar në një postim në X pak kohë më parë, duke shtuar se vendi i tij ka bërë “përpjekje të sinqerta për të bindur” Iranin të marrë pjesë në negociata.
Një “përgjigje zyrtare nga pala iraniane në lidhje me konfirmimin e delegacionit për të marrë pjesë në bisedimet e paqes në Islamabad ende pritet”, tha Tarar, duke shtuar se vendi i tij është në “kontakt të vazhdueshëm me iranianët dhe po ndjek rrugën e diplomacisë dhe dialogut”, raporon CNN, transmeton IndeksOnline.
Ministri tha se armëpushimi aktual midis Teheranit dhe Uashingtonit përfundon në orën 4:50 të mëngjesit sipas orës së Pakistanit të mërkurën.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha dje se armëpushimi skadon “të mërkurën në mbrëmje sipas orës së Uashingtonit”.
“Vendimi i Iranit për të marrë pjesë në bisedime para përfundimit të armëpushimit dy-javor është kritik”, tha Tarar.
“Pakistani ka bërë përpjekje të sinqerta për të bindur udhëheqjen iraniane që të marrë pjesë në raundin e dytë të bisedimeve dhe këto përpjekje vazhdojnë”, shtoi ai.
Më herët sot, Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Mohammad Ishaq Dar, u bëri thirrje si SHBA-ve ashtu edhe Iranit që të “shqyrtojnë zgjatjen e armëpushimit” dhe “t’i japin një shans dialogut dhe diplomacisë”, sipas një deklarate nga zyra e zëdhënësit të ministrisë.
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, pritet të udhëtojë sot për në Pakistan me zyrtarë të lartë amerikanë për të marrë pjesë në raundin e fundit të bisedimeve, thanë për CNN njerëz të njohur me planet, megjithëse ai është ende në Uashington DC dhe nuk është e qartë se kur do të niset. /IndeksOnline/

