“Pakoja për përballje me inflacionin”- fragmentuese apo gjithë përfshirëse?!

Si shkaktar i rritjes së lartë të inflacionit në Kosovë, me 3 shtator Qeveria e Kosovës prezantoi “Pakon për Përballje me Inflacionin”. Kjo pako parasheh mbështetje me nga 100 euro për pensionistët, studentët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike.
Ndryshe, për klasat punëtore në sektorin privat, Qeveria Kurti planifikoi subvencionim me nga 50 euro për tre muaj në rast se rritej paga deri në 100 euro nga kompanitë në të cilat ata punonin.
Megjithatë, me këtë vendim të ekzekutivit jo të gjitha kategoritë shoqërore mbetën të kënaqur.
Sindikata e Sektorit Privat: Vendim qesharak, qeveria i dha 50 milionë euro për rrymën e serbëve në veri por jo 30 milionë për punëtorët e sektorit privat
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi në një intervistë të dhënë për “IndeksOnline”, e ka quajtur qesharak vendimin e qeverisë për subvencionimin e rritjes së pagës për 3 muaj me nga 50 euro për punëtorët në sektorin privat.
Sipas tij, punëtorët e këtij sektori kanë qenë të gatshëm të pranojnë vetëm nga 50 euro si subvencionim nga Qeveria, por pa kushtëzime të tilla.
“Është vendim qesharak. Të hënën bëhen dy javë që kemi bë kërkesë që të hiqet kushtëzimi tek pronarët e kompanive që të japin nga 50 euro, pasi që ne e njohim mirë gjendjen e pronarëve të kompanive dhe pjesa dërmuese e tyre nuk kanë fuqi ekonomike. Ne kemi qenë të gatshëm që të pranojmë vetëm 50 euro të qeverisë dhe mos të ketë një kushtëzim. Kjo çështje nga qeveria është shikuar mirë, e kanë ditë që këto mjete do të mbesin në buxhetin e shtetit, pasi që pronarët e kompanive nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë.”, ka thënë Azemi.
Sa i përket grevës së paralajmëruar, Azemi tha sektori privat ende nuk ka marrë një vendim të tillë, por do të diskutojnë me kryetarët e shoqatave në takimin e 20 shtatorit edhe pse sipas tij ata kanë qenë të gatshme për grevë që nga java e kaluar.
Madje, kryetari Jusuf Azemi ka shprehur edhe dyshimet e tij se greva mund të ndikoj tek Qeveria, por së paku nuk do ta lejojë “lojën” e ekzekutivit me punëtorët e sektorit privat.
“Unë jam shumë i dyshimtë edhe me grevë që do të lam diçka tek kjo qeveri. Do të jemi shumë të kujdesshëm, do t’i matim veprimet dhe së paku nuk do të ja japin dëshirën qeverisë të luaj me punëtorët e sektorit privat në këtë formë qysh është duke luajtur.”, shtoi Azemi.
Përfaqësuesi i punëtoreve të sektorit privat, krahasoi paratë të cilat qeveria i ndau për pagimin e rrymës të serbëve në veri, me ato që po heziton t’i ndaj për punëtorët e sektorit privat.
“Që të bëhet edhe më ironik ky vendim, ne e dimë që vetëm gjatë këtij viti qeveria dha mbi 50 milionë për rrymë për serbët në veri e tani në një farë forme i mashtroj punëtorët dhe kjo shumë e cila do të jepej për 3 muaj do të kushtonte 30 milionë euro. Qeveria në njërën anë nuk jep paret në anën tjetër punëtorët çdo ditë pyesin me shpresë që është hek kushtëzimi e t’i marrin edhe ata mjetet.”, u shpreh Azemi.
Së fundi, kryetari u shpreh se deri me tani kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh dhe nëse nuk largohet kushtëzimi, vendimi do të mbetet i pa zbatuar.
Njohësi i ekonomisë, Gërxhaliu: Pakoja nuk duhet të jetë fragmentuese, të bëhet direkt subvencionimi i punëtorëve të sektorit privat

Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu për IndeksOnline ka thënë se pakoja e qeverisë për përballje me inflacionin duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo fragmentuese.
Po ashtu, sipas tij kjo pako është e pamjaftueshme.
“Në këtë krizë besoj që masat janë të nevojshme për të mbështetur qytetarët e bizneset, por duhet të kemi kujdes sepse Kosovës i duhet një pako kundër inflacionit që është gjithëpërfshirëse dhe jo fragmentuese. Në këtë drejtim besoj që kjo pako duhet të përshëndetet por nuk mjafton sepse kriza dhe inflacioni janë shumë të mëdha.”, ka thënë Gërxhaliu.
Sipas njohësit të ekonomisë, shqetësimi më i madh lidhur me masat e qeverisë për të luftuar inflacionin mbetet anashkalimi i të papunësuarve dhe trajtimi që i është bërë pensionistëve e punëtorëve të sektorit privat.
“Brenga më e madhe që mund ta adresojmë sa i përket Pakos së Qeverisë është anashkalimi i të papunësuarave, numri i të cilëve është bukur i madh në Kosovë, por në të njëjtën kohë edhe fati i pensionistëve. Mbi të gjitha tentativa që të punësuarit në sektorin privat të mbesin edhe më tutje në mëshirën e punëdhënësit, duhet të përmirësohet.”, shtoi Gërxhaliu.
I pyetur se si e sheh zgjidhjen për kërkesën e punëtoreve të sektorit privat që të largohet kushtëzimi, Safet Gërxhaliu e cilësoi si të drejtë që subvencioni i qeverisë të u jepet direkt punëtorëve dhe të mos ketë kushtëzime sepse kjo edhe do të mundësonte që shumë punëtor që janë ilegal të lidhin kontrata pune.
Gërxhaliu, kërkoi maturi nga qeveria se si trajtohen punëtorët e këtij sektori pasi që kjo ndikon direkt në buxhetin e shtetit, sepse pjesa dërmuese e tij mbushet nga sektori privat.
Shqetësuese për Gërxhaliun, është edhe mënyra se si institucionet po flasin për rritje ekonomike, ndërkohë që sipas tij kjo ka të bëj me rritjen e të hyrave buxhetore si shkak i rritjes së çmimeve.
Gastronomet: Nga shërbimi me kamarierë në vetë-shërbim

Sekretari i Shoqatës së Gastronomeve, Arian Vranica në një intervistë të dhënë për IndeksOnline ka thënë se pakoja e qeverisë për përballjen me inflacion është afat shkurte dhe e pamjaftueshme për krizën me të cilën gastronomet po përballen.
Sipas Vranicës, masat e tilla ku përfitimi varet nga politikat e biznesit asnjëherë nuk janë të suksesshme.
“Masa të tilla të cilat e ofrojnë një mundësi përfitimi e cila varet nga politikat e biznesit nuk mund të jetë indikative siç dëshirohet, sepse në rastin konkret pronarët e bizneseve veçse po përballen me menaxhimin e krizave të bizneseve personale në mënyrë vetanake, pasi që nuk ka asnjë lehtësim që mund të ofrohej nga ana e institucioneve shtetërore.”, deklaroi Vrinca.
Duke treguar për vështirësitë me të cilat po përballen pronarët e lokaleve e punëtorët e gastronomisë, Vranica tha se si shkak i krizës shumë prej bizneseve kanë raportuar për ta ndryshuar mënyrën e shërbimit.
“Po raportohen shumë lokale që si masë të fundit ta aplikojnë kthimin nga shërbimi me kamarierë në vetë-shërbim, që si pasojë rezultati po del të jetë më shqetësues për punëtorët, nga menaxhimi jo adekuat i Qeverisë së Kosovës me luftimin e krizës ekonomike.”, ka thënë sekretari i Gastronomeve.
Sipas tij, masa për rritjen e pagës së punëtorëve me subvencionim të qeverisë për vetëm 3 muaj, nuk mund të realizohet nga pronarët e bizneseve të gastronomisë, sepse është zvogëluar shumë numri i bizneseve të cilët punojnë me fitim dhe arrijnë të mbulojnë shpenzimet e qerasë e të pagave të punëtorëve.
Arian Vranica, zgjidhjen më të mirë të këtij problemi e sheh tek ndryshimi i politikave tatimore.
“Politikat tatimore mund të jenë më të përgjithshme, kur flasim për to nënkuptojmë që nuk po kërkojmë vetëm uljen e TVSH-së në shitje për gastronomi nga 18 në 8 % por të trajtohet edhe mundësia e uljes së TVSH-së në produktet bazë, në naftë, akciza në naftë.”, shtoi Vrinca.
IndeksOnline ka dërguar pyetje edhe tek zëdhënësi i Qeverisë së Kosovë, Përparim Kryeziu lidhur me shqyrtimin e kërkesës së Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.
Po ashtu lidhur me “Pakon për Përballje me Inflacionin”, është kontaktuar edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, por që i njëjti nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli./IndeksOnline/