Pal Lekaj: Të rënët asnjëherë s’ do ta mendonin se do të krijohej një gjykatë ku do të gjykoheshin vetëm shqiptarët

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit sa i përket Gjykatës Speciale dhe përballjes me aktakuza të kësaj gjykate të figurave kryesore të UÇK-së, raporton IndeksOnline.
Lekaj tha se kjo çfarë po ndodh me këtë gjykatë është një padrejtësi, që po i bëhet luftës së një populli që luftonte për liri e për mbijetes.
Ai ka thënë se kushdo nga kombësi të tjera e popuj të tjerë që kthen kokën pas e të shohë se çfarë ka ndodhur në Kosovë, ka vetëm një pyetje për ta se si do të vepronin në një situatë të tillë. A do të rrinin e të prisnin derisa Serbia të vriste e masakronte siç ka bërë e të dëbonte të gjithë shqiptarët nga shtëpitë e tyre.
“Çfarë duhej të bënim ne, a duhej të prisnim që Serbia t’i shkonte operacionit ‘Potkoi’, të na përcillte si refugjatë, çfarë duhej të bënim ne, le të dal kushdo nga çfarëdo kombësie e të na thotë se çfarë duhej të bënim ne. Sigurisht ne bëmë zgjedhjen tonë, të ballafaqohemi, ishim jemi dhe në mot të moteve shqiptarë. E dinim që lufta nuk ishte e lehtë, do të na merrte djemë e vajza, por e dinim që do të jepnim jetën që Kosova jonë të mbijetonte dhe t’ia dilte mban”, tha Lekaj.
Ai ka thënë se heronjtë nuk do të kishin menduar kurrë që nëse do të ishin gjallë do të dilnin para një gjykate, ku gjykohen vetëm shqiptarët.
Sipas tij të gjallët e që po ballafaqohen me këto aktakuza e dinë se Beogradi nuk e ka ndalur luftën kundër Kosovës.
“Të gjallët e dinë se Beogradi nuk e ka ndaluar luftën kundër Kosovës, dikur me ushtri, ndërsa tani me letra, dosje, foto e gjithçka tjetër që munden për të fituar anë paqe, atë që më parë e humbën në luftë. Lufta e Serbisë është e ndyrë, është luftë që nuk ka asnjë pendesë për atë që ka bërë në Kosovë. Është lufta e një shteti që nuk i hap 16 varrezat masive që i ka në Serbi”, tha Lekaj.
Sipas tij paqja me Serbinë nuk mund të bëhet duke hedhur balti mbi lufton tonë për liri, për mbiejtës dhe ka ftuar të gjithë të bashkohen.
“Koha është për të dalë mbi vetveten të bëhemi bashkë nga kjo stuhi”, tha Lekaj.
Ndryshe para Speciales janë paraqitur tashmë presidenti i vendit Hashim Thaçi, ish- kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, e ish- kreu i PDK-së, Kadri Veseli.