14:14 / E Hënë, 09 Tetor 2017 / indeksADMonline

Pallati Rinisë jashtë ligjit për kryeqytetin

Kryeqyteti i Kosovës më në fund do të bëhet me Ligj, proces ky që ka nisur në vitin 2008, si derivat i pakos së Ahtisaarit e i normuar në Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Më këtë ligj Prishtina pritet të ketë disa beneficione më shumë se sa komunat e tjera. Por, dilema e pazgjidhur vazhdon të jetë Pallati i Rinisë, më të cilin tash është duke qeverisë Agjencia Kosovare e Privatizimit. Pallati nuk është përfshirë fare në projekt- ligj. Në Qeverinë e Kosovës thonë se e kanë një plan për të, por nuk sqarojnë shumë.

Pallati i Rinisë dhe Sporteve që gjendet në qendër të kryeqytetit të Kosovës do të vazhdoj të jetë edhe për një kohë pa pronar.

Ai tash nuk menaxhohet as nga Komuna e Prishtinës e as nga Qeveria e Kosovës. Më të është duke u marrë veç Agjencia Kosovare e Privatizimit, e cila edhe në vitin e kaluar e ka nxjerr në likuidim.

Pallatin e Rinisë Qeveria e Kosovës nuk e ka futur as në projekt-ligjin që e ka miratuar javën e kaluar. Në këtë projekt-ligj që e ka siguruar Gazeta Express nuk përmendet asnjë fjalë për Pallatin.

 

Mirëpo, në Qeverinë e Kosovës, thonë se e kanë një planë për të.

“Kryeministri i Republikës së Kosovë, Ramush Haradinaj është angazhuar që pronësia mbi pallatin e Rinisë t’i rikthehet Kryeqytetit, përkatësisht qytetarëve të Prishtinës, në pajtim me ligjin”, thuhet në përgjigjet e zyrës së kryeministrit dhënë për Express.

Në zyrën e Haradinjat kanë treguar po ashtu se në projekt-ligjin e miratuar nga Qeveria nuk sanksionohet decidivisht pronësia mbi Pallatin e rinisë.

“Mirëpo Qeveria do të nisë konsultimet me palët e përfshira në këtë proces, AKP-në dhe komunën, në afat optimal”, thuhet në përgjigjet me shkrim.

Por, njohës të ekonomisë kanë thënë për Gazetën Express se kjo përgjigje nuk sqaron shumë.

“Nuk sqaron shume kjo përgjigje. Nuk është e qartë a bëhet fjalë për pronësi, kompensim…” kanë thënë njohës të fushës për Gazetën Express.

Kurse, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit nuk kanë dhënë shumë detaje mbi fatin e Pallatit të Rinisë, veçse kanë treguar se Pallati është duke u menaxhuar nga ta.

“ Tash Pallati është në likuidim. Një autoritet i likuidimit është krijuar dhe menaxhon më të. Derisa nuk ka një ligj që e merr në menaxhim, veprohet me ligjin e AKP’së”, kanë thënë në AKP për Gazetën Express.

Mirëpo, Bordi i AKP-së në mbledhjen e mbajtur me datën 28.04.2016 kishte vendosur që ta likuidojë Ndërmarrjen Shoqërore “Pallati i Rinise Kulturës dhe Sporteve” ish – “Boro dhe Ramizi”.

“Arsyeja e vendosjes se Ndërmarrjes në Likuidim ishte borxhi në vlerë prej rreth 3 milionë euro ndaj ish depoisteve (shfrytëzuesve të depove në Pallatin e Rinisë) të cilët u dëmtuan në Rastin e djegës së Pallatit në vitin 2000, me ç’rast Gjykata nxori fajtor Pallatin e Rinisë dhe e detyroj te kompensoj demin ndaj paditësve ne ketë rast Kreditoreve”, thuhej në njoftimin e AKP.

E në Prishtina sipas këtij projektligji që pret miratimin në Kuvend, do të ketë spital dhe njësi policore që do të jenë në shërbim vetëm të qytetarëve të Prishtinës. Pra, Policia themelon Drejtorinë e Policisë për Kryeqytetin, organizimi dhe funksionimi i së cilës rregullohet me Ligjin për Policinë, e cila do të ketë kompetencë vetëm në territorin e Kryeqytetit. /Gazeta Express/.