75 Mall Live Search
07:09 / E Martë, 10 Mars 2020 / indeksADMonline

Pamje dhe rrëfime të migrantëve: Jeta e përditshme e tyre, të bllokuar për ditë të tëra në kufirin Turqi-Greqi

Mijëra migrantë, shumica e tyre nga Siria, Afganistani, Pakistani dhe Irani janë “vërshuar” drejt kufirit që ndanë Turqinë dhe Greqinë, pasi qeveria turke njoftoi më 28 shkurt se nuk do t’i ndalonte më migrantët të kalonin në Evropë.

Migrantët e bllokuar në kufi, ndajnë me botën rrëfimet e tyre, kryesisht kushtet e vështira që ata po kalojnë, si dhe përjetimet e tyre të këqija me rojet e dhunshme kufitare greke.


Disa prej migrantëve të bllokuar në vendkalimin kufitar në Pazarkule, kanë publikuar në rrjete sociale përpjekjet e tyre për të kaluar lumin Meriç, i cili ndan Greqinë dhe Turqinë.

Pamjet e tyre shfaqin burra të rinj dhe familje me fëmijë që jetojnë në kushte të vështira afër fushave.

Disa migrantë që u përpoqën të kalonin kufirin në këtë vend thanë për France24 se shumë njerëz po flinin nën qese plastike, ndërsa zjarri po i mbanë të ngrohtë ata.

Rrëfime nga migrantët

“Djegim dru çdo natë për t’u ngrohur”

Sasan (një emër ky i ndryshuar) është një 32-vjeçar nga Irani që jeton në Turqi në katër vitet e fundit.


Ai po studionte për t’u bërë një mjeshtër në Kayseri, qytet ky rreth 1,000 kilometra larg Pazarkule, kur vendosi të udhëtojë për në Evropë.

Ai dëshironte të mbetej anonim nga frika se të folurit në media mund të rrezikonte statusin e tij të emigracionit në Turqi.

“Kur qeveria turke njoftoi se do të hapnin kufijtë, unë nuk hezitova. Jetoja në Kayseri me familjen dhe disa miq. Vendosem të merrnim një minibus dhe të niseshim drejt Evropës”, ka thënë ai.

“Tendat i morëm me vete, mbledhim dru për të ndezur zjarr çdo natë. Qeveria turke shpërndan ushqim, mirëpo nuk na mjafton, ndërsa na duhet të radhitemi me orë të tëra për të marrë ndonjë gjë. Kështu ne bëjmë udhëtime në qytetet dhe fshatrat fqinje për të marrë furnizime”, ka shtuar ai.

“Fëmijët qajnë gjatë gjithë kohës”

Me origjinë nga Afganistani, Muhittin, 21 vjeç kaloi tri ditë në Pazarkule duke u përpjekur të kalonte kufirin, ndërsa hoqi dorë dhe iu kthye punës si kamarier në një shisha bar në Stamboll.

“Erdha në Turqi vetëm pasi mbarova shkollën e mesme. Ëndrra ime është të arrij në Evropë, idealisht në Francë apo Gjermani. Kur arrita në Pazarkule, nuk kisha asgjë, madje as një tendë, kështu që më duhej të flija në tokë. Mbulohesha sa më mirë që mundja me një pëlhurë plastike, por kisha ftohtë natën”, ka thënë Muhittin.

Autoritetet greke njoftuan më 5 mars se kishin ndaluar 35,000 njerëz të hynin në territor në vetëm pesë ditë.


Raportet nga mediat kryesore që mbulojnë kufirin, si dhe videot e filmuara nga vetë migrantët tregojnë rojet kufitare greke duke përdorur sasi të mëdha të gazit lotsjellës për të shtyrë migrantët që përpiqeshin të kalonin nëpër rrethoja kufitare.

“Policia Greke arrestoi dhe kontrolloi me forcë një familje afgane”

Të gjithë migrantët që folën për France24, treguan se ishin dëshmitarë të dhunës, të kryer nga rojet kufitare greke.

Dhuna është ajo që e bëri Muhittin të vendosë të heqë dorë dhe të kthehet në Stamboll.